Shoqëria & Kultura | 02.06.2010

Robert Schumann-i u mendua gjatë që të bëhej muzikant apo poet. Që fëmijë ai shkroi shumë dhe mbajti një ditar. Nga i ati ai trashëgoi dashurinë për letërsinë. August Schumann-i e karakterizonte veten si "homme de lettre", ai shkroi romane, gëzonte një emër të vlerësuar lart si përkthyes dhe zotëronte një bibliotekë të pasur.
Nëna e Robertit konsiderohej se kishte prirje të forta muzikore. Në moshën shtatëvjeçare, Roberti mori orën e parë të mësimit për piano, shkroi kompozime të shkurtra, por edhe hartime, poezi dhe fragmente romanesh. Në atë masë që ishte rrënjësor shkollimi bazë i Schumann-it - ai mësoi latinisht, greqisht, frëngjisht dhe konsiderohej si talent i veçantë për gjuhët - në atë masë mbeti amatoresk shkollimi i tij muzikor. Shpejt ai arriti të luajë piano më mirë se mësuesi i tij dhe prandaj e vazhdoi si autodidakt mësimin e pianos.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Portret i kompozitorit Robert Schumann (1810-1856).
Përsa i përket zgjedhjes së profesionit: ai kërkonte një punë me taban, me të cilën ta kishte të ardhmen e siguruar. Babai i Schumann-it pati vdekur herët, e ëma dhe kujdestari i caktuar për të vendosën që ai të bëhej jurist. Schumann-i u largua nga qyteti i tij i lindjes Cvikau (Zwickau) dhe filloi studimet në Lajpcig (Leipzig). Por jeta në këtë qytet kishte një efekt krejt tjetër nga ai i synuari. Qyteti i panairit dhe i librave, me shtëpitë botuese me emër Brockhaus, Reclam dhe Breitkopf e mrekullonte Schumann-in e ri gjithnjë e më shumë. Ai vizitonte rregullisht koncertet në sallën e koncerteve të qytetit dhe së fundi - në vend të mësimeve të fakultetit juridik nisi të marrë sërish mësime për piano: te Friedrich Wieck, vjehrri i tij i mëvonshëm.
Veç kësaj, tani ai u përqendrua në mësimin e teknikave të reja të kompozimit dhe themeloi së bashku me Friedrich Wieck-un "Revistën e re për muzikën", e cila ekziston edhe sot. Që Roberti dhe e bija e Wieck-ut, Clara u miqësuan në këtë kohë me njëri-tjetrin, kjo i pëlqeu më pak babait ambicioz. Ai u përpoq me të gjitha mjetet që ta pengonte këtë lidhje. Me rezultatin, që të dyve iu desh ta fitonin më 1840 me vendim gjyqi lejen për t'u martuar.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Clara Schumann, kompozitore dhe pianiste gjermane, bashkëshortja e Robert Schumann-it.
Katër vjet çifti jetoi në Lajpcig. Martesa me Clarën i dha krahë Robertit. Shpejt ai shkroi cikle me këngë, pjesë për kuartete harqesh, vepra për piano dhe sinfonitë e para, koncertin për piano në a-moll, oratoriumin "Parajsa dhe zana", ciklet "Dashuri poeti" dhe "Qarku i këngëve", "Skenat për fëmijë" dhe albumin për rininë. Robert Schumannin e emëruan doktor nderi të universitetit të Jenës, më në fund ai kishte arritur të triumfonte si kompozitor.
Çifti Schumann mbante në Lajpcig kontakt të ngushtë me Felix Mendelssohn Bartholdy-n, të cilin Schumanni e emëroi mësues në Konservatorin e Lajpcigut. Por pjesët e vetë Schumann-it në këtë periudhë nuk kishin më edhe kaq sukses - Ludwig van Beethoveni, Felix Mendelssohn Bartholdy dhe Frederic Chopin-i përshtateshin më mirë me frymën e kohës. Edhe Clara e luante në koncertet e saj muzikën e tij e shumta si pjesë për biz (në fund të koncerteve).
Kjo ishte një ulje dinjiteti për Robert Schumann-in, e cila përkeqësohej edhe më tej nga fakti që në udhëtimet koncertale atë e perceptonin vetëm si bashkëshort të pianistes së njohur në të gjithë Evropën. Si një rreze drite u duk këtu thirrja për të shkuar në Dyseldorf (Düsseldorf), si Drejtor Muzikor i Qytetit.
Sinfonia e 3-të e Schumann-it, "Renania". Entuziazmi fillestar i Schumann-it për Rajonin e Rinit u shua shpejt. Posti i Drejtorit të Muzikës nuk ishte i përshtatshëm për Schumannin. Dyseldorfasit patën kërkuar një dirigjent dhe morën një kompozitor. Dhe ai e kishte të vështirë ta bindte për mendimin e tij orkestrën.
Dirigjenti dritëshkurtër e humbi me plotëkuptimin e fjalës kontrollin mbi orkestrën, udhëzimet e tij të shqiptuara shpesh në dialektin e fortë të Saksonisë, orkestra nuk mund ose nuk donte t'i kuptonte. Kësaj iu shtua edhe një lloj arrogance e Clara-s ndaj dyseldorfasve.
Bildunterschrift: Pullë gjermane në 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit Robert Schumann.
Megjithë aktivitetet koncertale: Schumann-ët mbetën persona të paintegruar. Shenjat e depresioneve dhe të manive te Robert Schummann-i tani u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Shpesh ai rrinte gjithë natën zgjuar dhe ankohej se në kokë i buçisnin pjesë të tëra orkestrale. Megjithatë, në katër vjetët e tij në Dyseldorf ai shkroi një të tretën e gjithë veprës së tij: midis të tjerash, Koncertin sot të famshëm në botë për Violonçel, Koncertin për Violinë, Meshën op.47 dhe "Rekuiem"-in.
Pas kësaj edhe një rreze tjetër drite. Johannes Brahms-i i viziton Schumann-ët në Dyseldorf. Roberti entuziazmohet nga pianisti dhe kompozitori i ri dhe i shtron atij rrugën për karrierën muzikore.
Por Schumanni kalon gjithnjë e më tepër në një gjendje problemesh mendore. Më 27 shkurt 1854, në një moment kur nuk e pa njeri, ai doli nga shtëpia. Është e Hëna e Karnavaleve, gjithë Rajoni i Rinit feston karnavalet. Askujt nuk i bie në sy burri, i cili ecën drejt Rinit, ngjitet mbi kangjella dhe hidhet në lumë. Schumann-in e shpëtojnë, por dy vitet e mëpasme të fundit të jetës ai i kalon në një spital në Bonn.
Tani, me rastin e 200-vjetorit, janë organizuar shumë aktivitete përkutimore për jetën e tij. Në qytetin e tij të lindjes në Cvikau një seri koncertale dhe një konkurs për piano kujtojnë veprën e Schumann-it, në Dresden, në Lajpcig dhe në Dyseldorf, në qytetet ku Schumann-i jetoi, një numër i madh koncertesh dhe disa ekspozita kujtojnë krijimtarinë e tij.
Autor: Gudrun Stegen / Auron Dodi
Redaktoi: Eliana Xhani