E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria & Kultura | 21.08.2010

Festivali Young Euro Classic, në Berlin zgjati deri me 22 gusht. Nderin për hapjen e tij e kishte orkestra Evropa Juglindore, e formuar pikërisht për këtë ngjarje. Në të luajnë edhe Genta nga Kosova dhe Marina, nga Serbia.

Genta dhe Marina janë njohur rrugës për në prova. Ndërsa gjenerata e prindërve të tyre jo shumë kohë më parë kanë qenë në luftë, ato prezantohen së bashku në koncertin e Berlinit. Genta, 22-vjeçare nga Kosova, luan në violonçel. Marina, violiniste serbe, është një vit më e re se ajo. Ndërsa, që të dyja si fëmijë e kanë përjetuar luftën.

Ambasadore të vendeve tona

Ne jemi shumë të reja. Ne nuk dimë shumë për situatën politike dhe se çfarë ka ndodhur në vendet tona. Këtu jemi të gjithë së bashku dhe kjo është e mrekullueshme, thotë Marina Popoviq.

Do të mund të thuhej se ne në njëfarë mënyre jemi ambasadore të vendeve tona, sepse këtu njihemi dhe sigurisht që do të mbetemi në kontakt, thotë Genta Hoxha.

Dy vajzat flasin për familjet e tyre, shoqërinë dhe i tregojnë njëra tjetrës fotografi.

Askush nuk e komenton atë se jam së bashku me serbët. Jo, asnjeri nuk thotë asgjë për këtë, thotë Genta.

Genta i takon besimit mysliman, i cili përfaqëson shumicën e popullsisë në Kosovë. Marina është ortodokse. Genta është krenare për flamurin e Kosovës. Para dy vjetësh, ajo ka kremtuar pavarësinë e vendit të saj.

Nuk dëshirojmë kurrfarë kufijsh!

Simfonia e shtatë e Betovenit si një lajmtar paqeje? Fëmijët e armiqve të dikurshëm, tani po luajnë bashkë në një orkestër.

Situata politike deri diku ndikon tek ne, po. Madje, shumë keq. Por, ne shohim përpara. Dëshirojmë të jemi të lirë si shtetet perëndimore. Nuk dëshirojmë asnjë kufi mes nesh dhe duam të lëvizim lirshëm, thotë Genta.

Tani është më mirë se mund të udhëtojmë në shumë shtete pa viza. Mendoj se shumë shpejt çdo gjë do të bëhet mirë, thotë Marina Popoviq.

Muzika i heq kufijt politikë. Ndoshta, këta të rinj do të ndihmojnë që plagët e thella në rajon të mbyllen ngadalë.

Autore: Regina Roland / Ajete Beqiraj

Redaktoi: Elert Ajazaj

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›