E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria & Kultura | 23.07.2010

Puna vullnetare është kthyer sërish në "modë". Para së gjithash tek ata të cilët edhe pas daljes në pension duan që të ndajnë me të tjerët përvojat jetësore, mundësitë dhe dijenë e tyre. Pavarësisht se a bëhet fjalë për mbrojtjen e ambientit apo të kafshëve, respektimin e të drejtave të fëmijëve, ndihmat për familjet e varfëra apo shoqërimin dhe përkujdesjen ndaj personave të moshuar, puna vullnetare, apo thënë më mirë angazhimi qytetar është sot i domosdoshëm. Dhe duke patur parasysh ndryshimet demografike puna vullnetare do të përjetojë një bum të vërtetë. Kështu shprehet profesori Hams Fleisch. Ai është sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës federale të Fondacioneve gjermane dhe i gëzohet faktit që gjithnjë e më shumë persona të moshës së tretë themelojnë vetë fondacione për të jetësuar idealin e tyre në ndihmë të bashkëqytetarëve.

"Ne nuk moshohemi gjithnjë e më shumë, por ne mbetemi më gjatë të rinj. Për secilin që ka kaluar të 60-tat dhe angazhohet është një gjë e mirë për shpirtin, për shëndetin, për formën e mirë e kështu me radhë. Njeriu bën diçka për vete, por nga ana tjetër është i nevojshëm për shoqërinë, në mënyrë që ata që kanë kohë të lehtësojnë të tjerët dhe të marrin përsipër më shumë përgjegjësi brenda komunitetit. Kështu ne mund të ruajmë lidhjen e brendshme dhe nivelin në aspektin kulturor dhe shoqëror."

Numri i iniciativave rritet nga dita në ditë. Projekte shembullore si "Lidhja e të moshuarve Riedlingen", "Rrjeti i fqinjve Frankfurt mbi Majn" apo "Rrjeti vullnetar Tyringen", tregojnë se edhe pas vitesh pune të suksesshme angazhimi i pjesëmarrësve nuk zbehet, por rritet. Gjatë dhjetë viteve të kaluara përqindja e të moshuarve të angazhuar në projekte vullnetare është rritur fort. Aktualisht të angazhuar janë më shumë se një e treta e kësaj grupmoshe. Domethënie të veçantë sipas parashikimeve të sociologëve do të fitojë angazhimi i tyre në mesin e fqinjve të parë. Shumë prej atyre që angazhohen për bashkëqytetarët e tyre duan ta bëjnë këtë jo në formë abstrakte, por shumë konkretisht në qytetin, fshatin apo në lagjen ku banojnë. Profesori i mjekësisë sociale Klaus Dörner është i sigurt se:

"Sot nuk kemi vetëm dy hapësira sociale, pra hapësirën private dhe hapësirën publike, siç jemi zhvilluar në të vërtetë edhe ne. Fëmijët në shkolla e njohin vetëm privaten dhe publiken dhe nuk e dijnë se ekziston edhe një hapësirë e tretë sociale, me madhësinë e lagjes apo të komunitetit të fshatit. Dhe kjo është në të vërtetë e vetmja hapësirë për të mirën e përbashkët dhe hapësira e vetme për proceset e integrimit."

Një rol qendror do të marrin në të ardhmen institucionet shoqërore tradicionale si organizatat bamirëse, azilet e pleqve, zyrat e komunitetit, dyqanet apo kishat në lagje. Ato do të kthehen në zyra ndërmjetësimi ku ndihmësit vullnetarë dhe ata që kërkojnë ndihmë do ta gjejnë shpejt njëri-tjetrin.

Autor: Peter Kolakovski/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›