E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqja e 21-vjeçares: Përse u lidh me 52-vjeçarin nga Tetova

TIRANE - Krimi i ndodhur në hotelin “Deja”, te Vilat Gjermane në Tiranë mesditën e së mërkurës, përveç komenteve si ngjarje e rëndë, me një të plagosur e një të vrarë, është lakuar edhe për diferencën e madhe të moshës mes studentes e të dashurit të saj nga Tetova. Ndonëse familja e 21- vjeçares Ana Sulçe, që mbeti e plagosur nga i dashuri 52 vjeç, as në polici nuk e pranon se ata kanë pasur lidhje, rrethi i ngushtë shoqëror i studentes duket se ka qenë në dijeni të kësaj historie. Edhe pse jo të detajuar, vetë Ana e kishte rrëfyer te mikeshat e saj më të afërta historinë e saj, duke kërkuar edhe këshilla, pasi së fundi kishin nisur dilemat për të.

Ne biseduam me një prej shoqeve të ngushta të Ana Sulçes, e cila na tregoi një pjesë të historisë së jetës së saj, por në këmbim të ruajtjes së anonimatit. Ajo shprehet se jeta e vështirë e shoqes së saj justifikon çdo veprim që ka kryer dhe sipas saj, askush nuk ka të drejtë ta gjykojë kur nuk njeh rrethanat dhe arsyet e 21-vjeçares. “Të gjithë janë tronditur nga kjo që ka ndodhur. Madje më shumë janë tronditur dhe komentojnë lidhjen e dashurisë së supozuar mes Anës dhe Agim Eminit, sesa faktin që njëri ka vdekur e tjetra ka mbetur e plagosur rëndë. Njerëzit po shqetësohen shumë se si ka mundësi që një vajzë aq e re mund të lidhet me një njeri 31 vjet më të madh. Pse, pak raste të tilla ka? Por nuk merren vesh, sepse nuk ndodh të vriten e të plagosen përditë. Të paktën Ana kishte arsye shumë të forta. Edhe pse unë nuk mund ta quaj lidhje të mirëfilltë”, tregoi dje mikesha e Ana Sulçes.

Miqtë e studentes së plagosur e njohin Ana Sulçen si një vajzë me karakter të fortë, që herë pas here merr rolin e mashkullit jo vetëm në shoqëri, por edhe në familjen e saj. Shoqja e 21-vjeçares tregon se jeta e ka detyruar atë që të rritet para kohe në mënyrë që t’i vinte në ndihmë familjes. “Ana ka vuajtur shumë që në fëmijëri. Familja e saj nuk ka pasur kushte të mjaftueshme ekonomike që asaj të mos i mungonin qoftë edhe gjërat më jetike. Ajo ka edhe 2 motra të tjera e një vëlla të vogël. Janë rritur me një baba që më shumë ka qenë brenda (në burg) se jashtë, që pinte e luante bixhoz. Asaj i është dashur të përballet me shumë gjëra që nuk i takonin. Problemet sociale e ekonomike ajo i ka hequr mbi shpatullat e saj”, u shpreh shoqja e ngushtë e studentes së plagosur.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›