E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shorti për dosjen “Partizani”, gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë për fatin e çështjes ndaj Sali Berishës

Fatin e pesë të pandehurve për dosjen “Partizani”, ku përfshihet Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, do ta vendosë gjyqtarja Flojera Davidhi. Brenda një afrati 10 ditor, ajo do të shpallë nëse dosja do të kalojë apo jo në gjykim.

Ligji i njeh të drejtën gjyqtares që ta kthejë dosjen hetimore në SPAK, nëse ajo vëren se çështja ka nevojë të plotësohet me gjetje të tjera të mjaftueshme për ta dërguar për gjykim.

Por gjyqtarja edhe mund ta pushojë çështjen në rastin kur 333 fashikujt e paraqitur nuk provojnë fajësinë e pesë të pandehurve.

Gjyqtarja Flojera Davidhi ka një eksperiencë 11-vjeçare në sistemin gjyqësor, ndërsa e ka kaluar shkallën e parë të vetting-ut, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 2021.

Përballë ligjit me statusin e të pandehurit janë ish- kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët, Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja bashkë me noteren, Andia Pustina.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi SPAK pretendon se ka ndihmuar dhëndrin e tij pëmes nxjerrjes së akteve nënligjore dhe krijimit të kushteve që ai të përfitojë nga privatizimi i kompeksit të dikurshëm sportiv, Partizani, që i përkiste shtetit.

Pozitat më të rënda ligjore nga të pandehurit i ka Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi që akuzohen për dy vepra penale, korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërkaq, Xhimi Begeja, një nga përfituesit e tokës dhe noterja Andia Pustina, akuzohen për pastrim parash.

Hetimet për privatizimin e ish- kompleksit sportiv Partizani filluan në 2020 pas kallëzimit të Taulant Ballës, asokohe në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PS./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›