Shpallen kampionët e “Tirana - Teens” në sport. Basha: “Në sport dhe në politikë nuk ka rotacion, fiton më i miri”
Kreu i Bashkisë së Tiranës: “Krenare për rininë tonë, ata nuk dinë vetëm të flenë, pinë kafe dhe lyejnë kokën me xhel siç pretendon ish - kryebashkiaku Rama”
Kampionati i organizuar mes shkollave të mesme të Tiranës ka kurorëzuar sot 5 kampionët e saj në volejboll, basketboll dhe futboll. Shkollat “Ismail Qemali” në basketboll/vajza dhe “Petro Nini Luarasi” në basketboll/meshkuj, “Besnik Sykja” në volejboll/femra dhe “Ismail Qemali” në volejboll meshkuj si dhe shkolla “Myslym Keta” në mini-futboll janë shpallur kampionë të “Tirana – Teens”, pas finaleve të zhvilluara sot, në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Finalet kanë përfshirë me emocionet e tyre dhe deputetë e ministra të cilët kanë bërë tifo për shkollat e tyre të preferuara. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka garantuar se Bashkia e Tiranës dhe ai personalisht do ta bëjnë traditë organizmin e kampionateve mes shkollave të mesme, ndërsa ka falënderuar 1500 gjimnazistët që për afro dy muaj morën pjesë në këtë garë. “Kur po vija për të parë finalen mes Sami Frashërit dhe Petro Ninit, i pari që takova ishte Halim Kosova. - “Na ngriu gjaku - më tha! - Çfarë ke? – i thashë - “Jemi tre pikë para, por s’kanë mbaruar akoma!-Pse me kë je?- Po normal, me “Petro Ninin” – tha. Pastaj pashë Majlindën dhe Joridën, që ashtu si unë kanë mbaruar tek “Sami Frashëri”, tek ndiqnin me zemër të ngrirë minutat e fundit të ndeshjes dhe dua t’u them basketbollistëve të “Sami Frashërit” që ne prapë ju duam shumë dhe ju jeni më të mirët! Në cep rrinte Edi Paloka me Greta Koçin me buzët vesh më vesh. “Myslym Keta” – thanë, - kampion në futboll. Me 160 ndeshje ju i dhatë kaq gjallëri Tiranës, i dhatë kaq emocion qytetit tonë përmes shpalosjes së vlerave tuaja sportive dhe emocioni prek edhe sot në sallë, sepse në fakt sot i bëtë me zemër të ngrirë të gjithë kandidatët për t’u përfaqësuar në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit që janë dhe mbeten fansat tuaj, fansat e rinisë së Tiranës. Një tjetër gjë që na kujton sportin dhe aktivitetin sportiv, përveç se na gjallëron, na mbush me gëzim, na jep hare, adrenalinë e po kështu na kujton se nëpërmjet aktivitetit sportiv ne afrohemi më shumë me njeri-tjetrin. Megjithëse gjatë ndeshjes, njëra palë bërtiste në njërën anë dhe pala tjetër në anën tjetër, tani jeni të gjithë bashkë dhe djersa që keni derdhur këtu në këtë parket ju ka lidhur përjetë më njeri-tjetrin. Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht jemi të vendosur që këtë traditë të kampionateve ta vazhdojmë vit pas viti dhe të krijojmë për futbollin, basketbollin dhe volejbollin ligat bashkiake, duke nisur nga shtatori i vitit që vjen. (Po, po, edhe Ismaili, sigurisht! (“Ismail Qemali”). Ismaili sot ka bërë krenarë të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit, edhe Gert Bogdanin”- u shpreh z. Basha. Kryebashkiaku Basha i cili është dhe tifoz i Bayernit të Mynihut, duke marrë shkas nga ndeshja e një dite më parë, ku u shpall edhe kampion Evrope i ka kujtuar ish - kryebashkiakut se në një garë fiton më i miri. “Kush e pa dje ndeshjen Bayern-Borussia? Kush ishte me Bayernin? Mesazhi i sportit i cili vlen për gjithë jetën, në politikë dhe në sport nuk ka rrotacion, fiton më i miri, ndaj i them me shumë mirësjellje, pse jo dhe me dashamirësi ish-kryetarit të Bashkisë, që të rinjtë e Tiranës nuk janë thjesht njerëz që flenë deri në mes të ditës, zgjohen e lyejnë kokën me xhel dhe dalin për kafe por janë këta kampionë sot në këtë sallë, anembanë qytetit tonë, anembanë Shqipërisë. (kush ka flokë, edhe mund t’i lyej ndonjëherë edhe me xhel)” - tha z. Basha. Kjo është faza e fundit e kampionatit në sport dhe për të gjithë kampionët, Bashkia e Tiranës do të ndajë çmime dhe udhëtime gjatë verës brenda vendit, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe për fituesit në një nga qendrat e BE. “Mes jush kemi sportistë por gjimnazet tona kanë edhe artistë dhe me përfundimin e konkursit artistik, të gjithë siç jeni pjesëmarrës në këtë konkurs të jashtëzakonshëm, të 25 gjimnazet janë të ftuara nga unë, Kryetari i Bashkisë, më datë 6 qershor në një gala të madhe festive në Pallatin e Brigadave” – u shpreh z. Basha.
...