Shpenzimet për fushatë, shteti iu jep 23 mln, partitë harxhojnë mbi 100 mln euro
Ekspertët: Financim i dyshimtë, paratë e fushatës 3 herë më shumë se fondi i shtetit
Fushata elektorale po financohet më para të dyshimta. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertë të ekonomisë të cilët theksojnë se fatura e shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit, është gati 3 herë me e lartë se fondi i dhënë nga buxheti i shtetit.
Paratë e fushatës
Ndërsa ka folur dje në media
eksperti Zef Preçi, shprehet se paratë e padeklaruara të fushatës mund të kenë prejardhje të dyshimtë, të cilat mund të kenë ndikim edhe në rezultatin zgjedhor. “Pas kësaj fushate do të jetë e nevojshme një analizë e hollësishme e impaktit të parave të shpenzuara në fushatë mbi rezultatin dhe mbi ekonominë. Vlerësimet e ndryshme flasin për shpenzimin e shumave që tejkalojnë 100 mln euro. Unë mendoj që pjesa e shpenzimeve publike në totalin e shpenzimeve të fushatës nuk kalon 1/4 e shpenzimeve gjithsej. Pra, 3/4 janë nga burime të tjera, pra donatorë, sipërmarrje, ndoshta dhe burime informale, apo akumulime të fshehjes së taksave apo të tjera si këto”, thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Ndikimi në ekonomi
Por këto para që po injektohen në mënyrë të menjëhershme sipas ekspertëve nuk po japin asnjë efekt në ekonominë reale, përveçse në disa sektorë periferikë. “Për ekonominë në tërësi ndikimi është i paefektshëm. Nxitimi për ti kryer disa shpenzime më shpejt, apo në disa sektorë që nuk kanë shumë rëndësi, jo shtypshkrimet, jo mbulimet mediatike që nuk janë sektorë të qëndrueshëm, apo burim rritjeje apo punësimi. Mendoj se ndikimi i pompimit të parave përtej atyre të ofruara nga buxheti në fushatë elektorale krijon mundësi që të futen në qarkullim para me origjinë të dyshimtë, korrupsioni dhe vepra të tjera kriminale”, ka argumentuar më tej Preçi.
Fondi i shtetit
Jo më shumë se 23 milionë lekë është shuma që do të shpenzohet për zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-ës nga ana e buxhetit të shtetit, pa përfshirë këtu teknologjinë e re elektronike. Kjo vlerë është sa një e katërta e parave që realisht po shpenzohen në zgjedhje. Ndërkohë që fatura reale sipas llogaritjeve paraprake e kalon shumën e 100 milionë eurove, para të përdoruara këto për ndërtimin e imazhit të partive, liderëve, dhe kandidatëve. Pra shumica e këtyre parave po shpenzohen në reklama televizive, në printime posterash e fletëpalosjesh, por edhe në ryshfete për blerje votash, pa harruar këtu edhe festat me birra për të rinjtë shqiptarë sa herë që ka ndeshje apo kampionate futbolli, apo qoftë edhe festë me birra pa arsye. Të gjitha këto shpenzime marramendëse vijnë në një moment kur vendi ynë po përballet me një krizë të gjatë ekonomike, ku qindra familje jetojnë në varfëri ekstreme duke blerë ushqime me listë.
23
milionë lekë është shuma që do të shpenzohet për zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-ës nga ana e buxhetit të shtetit
100
milionë euro mendohet të jetë shuma reale e shpenzuar për fushatë, e llogaritur nga ekspertë të ekonomisë
3 herë më e lartë se fondi i dhënë nga buxheti i shtetit rezulton të jetë fatura e financimit të fushatës elektorale
3/4
janë nga burime të tjera si donatorë, sipërmarrje, por edhe burime informale, apo akumulime të fshehjes së taksave