Shpenzimet për fushatën, qeveria shtrydh BSH-në
Shpenzimet e shumta për fushatën zgjedhore kanë bërë që qeveria të përdorë të gjitha mënyrat për të gjetur para.
Përveçse ka rritur shpenzimet, duke marrë borxh te bankat e nivelit të dytë, tej planit vjetor, Ministria e Financave ka marrë para kohe fitimet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së ministrisë, edhe pse e dinte mjaft mirë se po shkal parimet e një disipline fiskale.
Kështu, siç raporton Shqip, të paktën deri në muajin maj, transferimi i fitimit të realizuar nga BSH-së për llogari të qeverisë ishte 3.7 miliardë lekë. Sipas ligjit, fitimet e një viti banka qendrore duhet ti derdhë brenda 4-mujorit të parë, por me marrëveshje, është rënë dakord të transferohet gradualisht, sipas një plani. Ky i fundit, si 5-mujor ishte 1.4 miliardë lekë, por presioni politik mbi bankën (gjysma e anëtarëve të Këshillit vijnë nga qeveria), ka detyruar bankën të japë më tepër sa duhet, duke e tejkaluar planin me afro 70 për qind./b.l