E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehen filmat e Dokufesti

Ka përfunduar ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mbylljes së festivalit të filmit “Dokufest” e mbajtur në Kino Bahce në Prizren. Të pranishëm ishin emrat më të mëdhenj të kinematografisë evropiane dhe mysafirët nga mbarë bota.

Në kategorinë e dokumentarëve nga Balkani, juria ka vendosur që çmimin ta marrë “When I was a boy, I was a girl” me regji të Ivana Todorovic nga Serbia. Dokumentari flet për Gocan, një transvestite 39 vjeçare e cila jeton në Beograd dhe largohet nga puna e saj si “sex-worker” për të përfunduar si aktiviste e të drejtave të komunitetit LGBT në Serbi. Dokumentari ka ngritur pluhur edhe në Serbi ndërsa regjisorja thotë të jetë ndier e frikësuar nga huliganët dhe religjiozët fundamentalistë serbë kur e ka dhënë premierën në kryeqytetin serb.

Mirënjohje e veçantë në këtë kategori të dielën mbrëma ka marrë “A sort of love” nga regjisori Dirk Schafer, ndërsa çmimi për debutim ballkanik shkon për projektin “To the Wolf” nga Christina Koutsospyrou dhe Aran Hughes, një projekt I përzier në Greqi, Francë dhe Angli dhe që flet për një profeci brinjësh grekë.

Në kategorinë ndërkombëtare, filmi më i mirë i shkurtër është zgjedhur “A story for the Modlins”, një tregim për Elmer Modlin, i cili pas paraqitjes në filmin Rosenmary's Baby detyrohet ta lirojë Spanjën dhe të ikë për një vend tjetër.

Dokumentari më i mirë i gjatë ndërkombëtar është shpallur “Belleville Baby”, një tregim dashurie I sjellë nga regjisorja suedeze Mia Engberg. Për këtë kategori kanë vendosur juria e përbërë nga: Birgitte Stærmose, Guillermo Carreras-Candi, Katja Wiederspahn, Noémie Mendelle dhe Paul Sturtz.

Juria e përbërë nga gazetarja Arbana Xharra, skenaristi Daniel Sponsel dhe regjisori Rajko Petrovic kanë vendosur që sivjet dokumentari më i mirë në kategorinë e të drejtave të njeriut ti shkojë regjisorit Mohamed El Aboudi dhe tregimit “Dance of Outlaws”, i cili flet për kriminelët modernë, fëmijët e prostitutave dhe nuset e çuditshme marokene.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i festivalit, ka përmendur se këtë vit festivali ka ardhur më i kompletuar se kurrë.

“Këtë vit ka pasur më shumë filma dhe gati 200 mysafirë. Sa i përket biletave, deri të shtunën në mbrëmje kanë qenë afër 8200 bileta të shitura” tregon Nurkollari.
Dokumentari më i mirë i mjedisit në edicionin e XII-të të festivalit është shpallur “Future my love” ndërsa falënderim special ka shkuar për “Leviathan”.

Në kategorinë e filmave kombëtarë, juria e përbërë nga Adriana Matoshi, Sabir Kanaqi dhe Marcin Luczaj ka zgjedhur filmin “The Stone on the Shore” nga regjisorja Jonada Jashari si filmin më të mirë, dhe filmin “Zibidi” nga Nart Zeqiraj me një falënderim special.
Festivali i sivjetmë ka sjellë edhe programe të veçanta jo garuese, të cilat sjellin në retrospektivë emrat më të famshëm të kinematografisë dhe regjisë amerikane e evropiane.

Jay Rosenblatt, një nga emrat kryesorë të filmit në Amerikë sivjet në Dokufest ka ardhur me mbi 10 krijime të tij ndër vite, në programin master kushtuar vetëm atij.Shtetet nordike sivjet janë privilegjuar në Dokufest, duke ardhur me një program special me më shumë se 40 projekte,shkruan Zeri.

“Why Poverty”, një tjetër projekt, ka ardhur gjatë javës së kaluar në Prizren me fokus 10 filma që sjellin storie provokative dhe të menduara mirë e të lidhura me fenomenin varfëri dhe lëvizje e lirë qytetare.

Në kategorinë “International Shorts” , çmimin kryesor e ka marrë “A society” nga Suedia, një reflektim mbi botë në mikrokozë, një botë e cila në fund të fundit bie në mbijetesë.
Falënderim special në këtë kategori ka marrë “Chamomile” nga Neritan Zinxhiria, një projekt për një grua të vetmuar dhe një të vdekur me erë kamomili.

Kategoria “Youth” sivjet është triumfuar nga “Batman at the Checkpoint”, ndërsa falënderim special ka shkuar për “Nicoleta” dhe “These Things Happen”./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›