Shpërblim shtesë për komisionerët e zgjedhjeve

Këshilli i Ministrave vendosi dje gjatë mbledhjes së radhës, të shpërblejë komisionerët që janë angazhuar në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Duke i shprehur mirënjohje komisionerëve të të gjitha forcave politike, që bashkëpunuan në këtë proces, duke respektuar ligjin, ai komunikoi vendimin e fundit të qeverisë për një shpërblim shtesë për ta.
“Qeveria do të vendosë që t’i japë një shpërblim shtesë komisionerëve dhe numëruesve të zgjedhjeve, që realisht, (sidomos numëruesit), kanë pasur një detyrë jashtëzakonisht të lodhshme. Do ta bëjmë vendimin dhe do të jetë më i kushtueshëm, por realisht këto kanë qenë zgjedhjet më të kushtueshme, sepse ishte infrastruktura e re, por ajo do të shërbejë për të gjitha zgjedhjet e ardhshme”, tha kryeministri Berisha.
Sipas tij, ky ishte një shpenzim i madh që do të bëhej njëherë dhe i takoi kësaj Qeverie të pajiste të gjithë qytetarët shqiptarë me dokumente moderne, tërësisht dixhitale, duke vendosur standarde.
...