E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërdorim detyre për ngjarjen me tre të plagosur në Bulqizë, AMP pezullon dy inspektorë policie

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ekzekutoi sot urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj dy punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Inspektorët e pezulluar janë  D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër si dhe D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10 mars të këtij viti në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.

AMP njoftoi se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›