Shpërndanin drogë në shkolla dhe lokale nate, Vocaj: Arrestohen 19 shtetas, në kërkim 5 të tjerë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ 19 shtetas janë arrestuar dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit “Tempulli 3”.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, u shpreh sot në një deklaratë për shtyp, se, pas një hetimi tremujor u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 24 shtetasve.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 19 shtetas, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Gjatë operacionit u arrestuan 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht: K. H., 26 vjeç, D. K., 39 vjeç, O. V., 21 vjeç, H. F., 20 vjeç, F. Gj., 32 vjeç, V. Xh., 42 vjeç, A. Xh., 52 vjeç, O. I., 62 vjeç, L. K., 26 vjeç, M. K., 32 vjeç, K. H., 24 vjeç, R. M., 25 vjeç, M. S., 18 vjeç, R. Sh., 33 vjeç, D. G., 21 vjeç, R. D. (S.), 52 vjeçe, E. B., 37 vjeçe, A. Sh., 33 vjeç, B. K., 34 vjeçe (arrestuar më parë gjatë zhvillimit të hetimeve).
Midis personave për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur masë sigurie, është dhe shtetasi A. Xh., alias A. T., alias J. C., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar në muajin maj të këtij viti, për veprën penale
“Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për një ngjarje të ndodhur në shtetin grek”, tha Vocaj.
Gjithashtu, shtoi ai, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 5 shtetasve të tjerë.
“Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale,1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë; qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis; 12 celularë; 5 automjete; shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës”, theksoi Vocaj.
Vocaj theksoi se, vijojnë veprimet hetimore për dokumentinin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë.