Çështja “Xibraka”, Olsi Rama në SPAK: Dhashë shpjegimet e mija si person në dijeni

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Olsi Rama mesditën e kësaj të premteje është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ku qëndroi rreth 1 orë.
Rama pasi doli nga ambientet e SPAK u ndal në një prononcim për mediet. Ai tha se ishte thirrur lidhur me dosjen “Xibraka”. “Për çështjen “Xibraka” isha si person në dijeni dhe dhashë shpjegimet e mia. U pyeta për gjëra që i dini dhe ju, sqarova situatën. Sqarova situatën dhe nuk ka më asgjë më tepër për të shtuar”, deklaroi Olsi Rama.
Ai u shpreh se është i gatshëm të japë shpjegimet e tij sa herë të thërritet. “Do doja të më pyesnin dhe për sportin dhe ekipin e Partizanit”, tha Rama.
Olsi Rama u akuzua publikisht nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, si i përfshirë në grupin e trafikut të drogës në “Xibrakë”. Rama mohoi përfshirjen e tij, duke depozituar dy kallëzime “Për shpifje” ndaj Bardhit.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë të ditur se çështja është rihapur për hetim, ndërsa nënvizoi se Bardhi nuk ka depozituar kallëzim në këtë drejtim.
/r.e/