Shpërndanin kokainë në Sukth dhe Durrës, goditen 2 grupe kriminale, 8 të arrestuar

Dy grupe kriminale janë shkatërruar në Durrës, të cilët shpërndanin kokainë në qytet si dhe në zonën e Sukthit. Në pranga përfunduan 8 persona, gjatë dy operacioneve të ndryshme.
Arrestimi i tyre ndodhi pas një hetimi 6 mujor nga policia e Durrësit, të cilët dokumentuan pikat ku autorët shpërndanin kokainën.
Konkretisht gjatë operacionit të koduar “Foremost”, u arrestuan 4 persona që shpërndanin kokainë në zonën e Sukthit.
Ndërsa gjatë operacionit të koduar “Last deal”, u arrestuan 4 persona për shpërndarje të kokainës në qytetin e Durrësit.
Disa prej të arrestuarve kanë qenë të dënuar edhe më parë.
48-vjeçari me disa emra kishte rolin e furnitorit me kokainë për pjesëtarët e tjetër të grupit, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës
Gjithashtu për ndarjen e lëndës narkotike ata kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Deal” u arrestuan shtetasit:
-G. M. (alias G. L., G. M., G. F.), 48 vjeç, i dënuar më parë;
-T. M., 43 vjeç, banues në Sukth, i dënuar më parë;
-A. H., 24 vjeç dhe A. V., 17 vjeç, të katërt banues në Sukth.
Në kuadër të operacionit “Foremost” u arrestuan shtetasit:
-E. C., 25 vjeç, G. K., 23 vjeç dhe K. B., 24 vjeçe, të tre banues në Durrës, si dhe S. B., 24 vjeç, banues në Shijak.
Si rezultat i këtyre operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;
– 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;
– 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;
– 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;
-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.
/rtsh.al/