E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pashkët Katolike, nis mesha e shenjtë

Në Katedralen e Shën Palit në Tiranë ka nisur mesha e shenjtë. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën.

Ajo drejtohet nga Imzot Arjan Dodaj.

Mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, mbahet në të gjitha kishat katolike të Shqipërisë me ritet përkatëse. 

Duke nisur kremtimi i Pashkëve Katolike arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, tha në mesazhin e tij se paqja nuk vjen asnjëherë nga armët por vetëm përmes dashurisë për njëri tjetrin. 

“Shqipëria me ringjalljen e Krishtit të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për të përballur emigrimin, por edhe numrin e ulët të lindjeve. Ndonjëherë mendojmë se mund të dominojmë të keqen duke reaguar me një të keqe më të madhe, por kështu kemi kontribuar për një të keqe edhe më të madhe. Drama e shoqërisë sonë është se e keqja është bërë si diçka normale. Me Ringjalljen Jezu Krishti na hap dyert e shpresës. Në duelin midis jetës dhe vdekjes, jeta fiton midis forcës dhe dashurisë. Pashkët janë ftesa për një krijimtari të re”, tha më herët Imzot Arjan Dodaj.

RTSH po e transmeton meshën e shenjtë në RTSH 1 HD.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›