Shpërthejnë protestat në Spanjë, qirate e larta nxjerrin mijëra njerëz në rrugë

‘Dhjetëra mijëra persona kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore të Spanjës, duke kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e qiramarrësve dhe përballimin e krizës së strehimit.
Rreth 50 marshime u zhvilluan në qytete të ndryshme të vendit, mes tyre Madrid, Valencia dhe Barcelona, vetëm një ditë pasi Kongresi spanjoll rrëzoi paketën emergjente të qeverisë për strehimin.
Në Valencia, protesta u tensionua, me përplasje mes disa demonstruesve dhe forcave të policisë pranë qendrës së arteve Palau de les Arts Reina Sofía, ku po zhvillohej një samit për pasuritë e paluajtshme.
‘Ka shumë zemërim në rrugë’, deklaroi një zëdhënës i Sindikatës së Qiramarrësve të Valencias, duke shprehur revoltën ndaj situatës së krijuar në tregun e banesave. Paketa e masave parashikonte forcimin e mbrojtjes së qiramarrësve vulnerabël nga dëbimet, zgjatjen e masave për kufizimin e rritjes së qirave, si dhe rregulla më të forta për tregun e qirave afatshkurtra.
Në qendër të zemërimit publik është rasti i Maria del Carmen Abascal, një 87-vjeçare nga Madridi, e cila u dëbua nga apartamenti ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Qiraja e saj ishte rritur ndjeshëm duke shkuar deri në 2,650 euro. Tashmë, pas rrëzimit të paketës së qeverisë, protestuesit kërkojnë masa konkrete për të frenuar rritjen e qirave.