Shpërthen Etna në Siçili, turistët largohen në panik për t’i shpëtuar lavës dhe hirit vullkanik

Vullkani më i lartë dhe më aktiv në Evropë, Etna në Siçili, ka shpërthyer fuqishëm sot, duke nxjerrë shtëllungë të mëdha tymi dhe hiri në qiellin italian, ndërsa turistët e gjendur aty pranë vrapuan në panik për t’i shpëtuar shpërthimit vullkanik.
Pamjet dramatike të publikuara në rrjetet sociale treguan retë e dendura të hirit që mbuluan zonën e Piano Vetores disa kilometra sipër kraterit të Etnës. Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) njoftoi se Etna po përjeton shpërthime të fuqishme dhe të pandërprera, me një intensitet që po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Lëkundjet në zonë mbeten të forta, çka tregon se priten shpërthime të mëtejshme, theksuan autoritetet.
Dridhjet vullkanike që paralajmëruan shpërthimin nisën rreth orës 22:00 të së dielës, duke kulmuar rreth orës 01:00 të mëngjesit, sipas INGV-së.
Deri tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet kanë rritur nivelin e alarmit dhe kanë kufizuar qasjen në zonat përreth kraterit aktiv.
Etna është një nga vullkanet më të monitoruara në botë dhe ka një histori të gjatë shpërthimesh, shpeshherë spektakolare, por edhe potencialisht të rrezikshme për banorët dhe turistët që e vizitojnë. Autoritetet kanë kërkuar që qytetarët të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin zonat e rrezikshme.
/rtsh.al/