Shpërthen Konte: Është turp që më gjykoi një gjyqtar tifoz!
Antonio Konte është një uragan më vete pas vendimit të apelit për të lënë në fuqi skualifikimin 10 mujor për trajnerin e Juventusit. Ish kapiteni i bardhezinjve ka dalë përpara gazetarëve i mbështetur nga drejtuesit më të lartë të Juventusit duke përdorur tonin e lartë.
Deklarata
Të gjithë duhet të kuptojnë atë që më kanë bërë dhe po më bëjnë sepse është diçka absurde, është turp. Besueshmëria fitohet ditë pas dite dhe tashmë jam më pak i besueshëm se Carobio që shiti ndeshjet, veten dhe familjen e tij. Kam dëgjuar të gjithë duke qëndruar në heshtje, gjithmonë kam respektuar rregullat, në fushë dhe jashtë saj. Mendoj se është një çështje absurde dhe vendimi i fundit ishte qershia mbi tortë. E shoh këtë sjellje të pavend dhe jashtë rregullave dhe në vend që këta zotërinj të respektojnë rregulla, bëjnë deklarata të panevojshme. Nuk e di nëse flas si tifoz, por mendoj se këtu ka diçka personale ndaj meje. Për ndeshjen NovaraSiena jam prej 7 muajsh në gazeta dhe TV, për 7 muaj me rradhë emri im përmendet për bastet ndërsa unë nuk kam vënë asnjë bast në jetën time. Por këto janë akuza të pabaza.
Akuzat
Jam viktimë e akuzave të padrejta që synojnë të më vendosin mua në qendër të një skandali trukimesh të sajuar, vazhdoi më tej trajneri i Juventusit, Antonio Konte. Unë skam vënë kurrë bast në jetën time dhe tashmë jam më shumë i bindur se kurrë, që njerëz si Carrobio (lojtari i cili e akuzoi për dijeni në shitjen e dy ndeshjeve gjatë kohës kur Conte drejtonte Sienën), që shisnin ndeshjet, janë për mëshirë. Është një turp, shtoi Konte. Ish-tekniku juventin (zyrtarisht nuk është më në krye të bardhezinjve, ndonëse gjatë javës është ai që udhëheq seancat stërvitore), hedh akuza mbi gjyqtarin që dha vendimin kundër tij, duke e cilësuar këtë vendim si personal e të pabazuar në prova. Kjo është një çështje absurde. Unë kam qenë gjithmonë korrekt si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Kemi të bëjmë me një gjyqtar që flet për mua, shpif për mua, ndoshta si tifoz duke kaluar në gjëra personale, akuzon Konte. Gjithashtu Konte ndalet edhe tek marrëveshja e fajësisë duke pranuar se ai është një kërcënim dhe një turp. Trajneri i Juventusit kërkoi mbështetjen e kolegëve dhe lojtarëve duke i kujtuar se kjo ngjarje mund ti ndodhë edhe atyre.
————-
Koeficientët, Juventus, favoritja për fitimin e Serie A
Zonja e Vjetër cilësohet favorite për të triumfuar në kampionatin italian edhe gjatë sezonit të ri, me koeficientin 2.3. Sipas kompanive të basteve, kundërshtari më i afërt i Juventusit është Roma, e kjo edhe për shkak se verdhekuqtë drejtohen nga armiku i torinezëve, Zeman. Bien kuotat e Milanit, skuadër që pas largimeve të Ibrahimoviç, Tiago Silvës e Kasanos cilësohet se ka pak shanse për të fituar titullin. Më pas, në garën për favoritët sipas koeficienteve klasifikohen Interi dhe Napoli. Suksesi në Pekin ndaj Napolit për Superkupën e Italisë, por edhe fjalët e Alegrit që tha se bardhezinjtë mbeten skuadra për tu mundur edhe sezonin e ri. Por objektivat e vërteta të drejtuesve juventinë sintetizohen në fjalët e presidentit Anjeli, sipas të cilit skuadra e tij do të synojë edhe Champions League. Gjatë merkatos së verës, Zonja e Vjetër është përforcuar me lojtarë cilësorë, që rritin konkurrencën për një vend në 11-shen titullare, e cila thuajse është identike me atë të sezonit të kaluar. Asamoah, Isla, Pogba, por edhe maturimi i Marrones, i japin mesfushës energjinë dhe freskinë atletike, ndërsa Lusio me eksperiencën dhe personalitetin e tij, ofron më shumë siguri për mbrojtjen. Fantazia dhe asistet e Xhovinkos do të jenë një bonus në lojën sulmuese. Konte, i skualifikuar 10 muaj nga drejtësia sportive, synon konsolidikimin e skemës 3-5-2, që garanton një mbrojtje më të mirë me tre mesfushorë qendre, por njëkohësisht krijon hapësira për regjinë e Pirlos dhe lejon vertikalizimet e Markizos dhe Vidal. Ndërsa Vucinic do të mund të luajë më pranë portës kuundërshtare. Zgjedhja e mesfushorëve anësore do të jetë taktike: Lihshtajner dhe De Celia, kur kërkohet një formacion i kujdesshëm mbrojtëse, ndërsa Isla dhe Asamoah kur synohet një lojë më sulmuese. Juventusit Europian ka nevojë vetëm për një pykë, i aftë për të shtyrë topin në rrjetë me thjeshtësi dhe vazhdimësi. Tashmë e sfumuar mundësia për të afruar sulmuesit më të mirë në qarkullim si Van Persi, Suarez dhe Kavani, Marota insiston për Jovetic dhe Llorente, pa harruar Edin Dzekon. Vitin e kaluar Juventusi kishte 5 sulmues, Vucinic, Matri, Del Piero, Kualjarela dhe Borrielo. Xhovinko ka zëvendësuar kapitenin legjendar të 705 betejave sportive, Del Piero, por Borrielo nuk është zëvendësuar. Deri më 31 gusht drejtuesit bardhezi kanë ende mundësi për të kompletuar Juventusin e Championsit.
Prandelli analizon sezonin
e ri: Juvja, skuadra për tu mundur
Në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere dello Sport, Cesare Prandelli flet për gjithçka. Trajneri i kombëtares së kaltër tregon për pritshmëritë e tij edhe pse disa skuadra ende nuk e kanë përfunduar merkaton duke mos qenë në formën e tyre përfundimtare. 55-vjeçari pranon se këtë vit ekipi për të mundur është kampionia në fuqi, Juventus edhe pse ekipe si Roma apo Fiorentina nuk duhen nënvlerësuar. Në pole position do të vendos Juventusin, pasi vjen nga një sezon i jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha me dëshirën për tu rikthyer në arenën europiane. Mbetet skuadra për tu mundur edhe pa trajnerin Antonio Conte. Mendoj se nuk do të ndryshojë asgjë. Megjithatë më intrigon dhe projekti i Romës me teknikun e ri Zeman dhe mendoj se duhet patur kujdes nga kjo skuadër. Mund të them të njëjtën gjë dhe për Fiorentinën e re të Montellas. Përsa i përket ekipeve të Milanos, kanë ndryshuar shumë. Milani do të mbështetet më shumë tek të rinjtë si El Shaarawy dhe aty do të shihet puna e Allegrit, kurse Interi do të luajë për shkak të krenarisë që ka grupi dhe për entuziazmin e Stramaccionit që tashmë i ka treguar cilësitë e tij. Më pas vjen Napoli që është një skuadër që do të luftojë për të fituar. Shkëmbimi Cassano-Pazzini? Një gjë e bukur për shumë motive. Prandelli bëri dhe një koment për të rinjtë e kombëtares italiane, të cilët në ndeshjen miqësore kundër Anglisë dhuruan një performancë të mirë, duke thënë se janë fantastikë dhe kanë një mentalitet profesional të jashtëzakonshëm.