E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo: Ibrahimoviç është më i mirë se Mesi dhe Ronaldo

Leonardo nuk ka asnjë dyshim. Sipas drejtorit sportiv të Paris Seint Zhermen, Zlatan Ibrahimoviç është sulmuesi më i mirë në botë. Mund të flasim për Lionel Mesin ose Kristiano Ronaldon, megjithatë ata nuk janë sulmues si ai. Ibra është më i miri përsa i takon qendërsulmuesve të mirëfilltë, ndërsa këta dy lojtarë janë më tepër sulmues të dytë, ishin fjalët e zyrtarit të klubit parizien. Më tej Leonardo shtonte: Zlatan është një metër e 92 i gjatë dhe peshon thuajse 100 kilogramë, megjithatë është i shpejtë, i shkathët dhe mes sulmuesve të pastër, ai ka teknikën më të mirë në botë. Zyrtari i klubit parizien theksoi se Ibrahimoviç dhe Tiago Silva janë më të mirët në rolet e tyre dhe nënvijëzoi se ata janë vlera e shtuar e PSG-së. Për shpenzimin rreth 65 milionë euro për dy ish-lojtarët e Milanit, ai tha se ata duhet të kontribuojnë që skuadra të fitojë trofe. Duke analizuar nisjen e dobët të skuadrës së Ançelotit në këtë kampionat, Leonardo theksoi se fakti që ekipi nuk ka fituar në dy ndeshjet e para nuk e shqetëson dhe se titulli nuk varet nga rezultatet e javëve të para. Sipas tij, PSG-së i nevojitet edhe pak kohë të paraqitet si një ekip kompakt, pasi është e vetmja skuadër që ka ndryshuar plotësisht formacionin titullar. Në fund, Leonardo komentoi problemet që ka pasur me presidentin e Milanit, Berluskoni, që prej periudhës kur punonte si drejtues por mbi të gjitha si trajner te kuqezinjtë, duke theksuar se tashmë nuk ka më kontakte me të. Ndërkohë, ai ka vlerësuar presidentin e Interit, Masimo Morati, për të cilin theksoi se e ka trajtuar si djalin e tij.

———————–
Murinjo-Kaka, ndarje përfundimtare
Zhoze Murinjo i ka bërë të qartë përfundimisht brazilianit Rikardo Kaka që të mendojë të gjejë sa më parë një skuadër tjetër nëse ëndërron të aktivizohet në këtë sezon dhe të rifitojë vendin në kombëtare. Tekniku portugez e ka lënë ish-Topin e Artë në shtëpi për ndeshjen e parë të Superkupës kundër Barcelonës në Kamp Nou, duke treguar qartësisht se ai nuk bën pjesë në planet e tij, as për të qëndruar në pankinë e as në tribunë.
Reagimi
Me sa është mësuar nga mediat spanjolle, reagimi i futbollistit ka qenë mjaft i ashpër dhe mësohet se ai nuk e ka pritur mirë këtë përjashtim nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, siç janë klasiket me Barcelonën, pavarësisht turneut në të cilën luhet. Menjëherë është parë se lojtari ka ndryshuar të dhënat e tij në adresën e Twitter, duke hequr emrin e Real Madrid nga klubi i punësimit. Kjo ka hapur vend për hamendësime se tashmë futbollisti ka vendosur të largohet përfundimisht nga madrilenët, edhe nëse nuk arrin të gjejë ekip tjetër, pasi do të kërkojë ndërprerjen e kontratës ekzistuese me Realin.
Milan
Pas kësaj ngjarjeje Milan është hedhur menjëherë në sulm. Agjenti i besuar i Milan për Spanjë, Ernesto Bronzeti ka qenë mbrëmë në Barcelonë ku është takuar me drejtuesit e Realit. Ashtu sicc dihet Milan kërkon ta marrë borxh brazilianin. Ndërkohë Milan nuk ka marr dot as Ze Roberton. Është vetë sulmuesi, i cili ka konfirmuar lajmin, duke shkruar në adresën e tij në rrjetin social Twitter se është tepër i lumtur për interesimin e Milanit por duket se nuk ishte e thënë që ai të vishte fanellën kuqezi. Sipas medieve italiane Ze Roberto nuk ka pranuar provën nga skuadra e Milan, pasi i dukej poshtëruese që të vihej në provë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›