Shpërthim me tritol në Pogradec. Objektivi, Meard Berberi, i sapoliruar nga amnistia

Një sasi tritoli ka shpërthyer gjatë orëve të parë të mëngjesit të 22 korrikut në qytetin e Pogradecit. Shpërthimi ndodhi pranë banesës së Meard Berberit, ndërsa raportohen vetëm dëme materiale.
Sasia e tritolit ishte vendosur në sheshpushimin mes katit të parë dhe të dytë të një pallati pranë banesës së 38-vjeçarit, I cili ishte edhe objektiv i këtij sulmit.
Sulmi ishte një shenjë paralajmëruese për të, i cili sapo ishte liruar nga amnistia penale.
Meard Berberi është një emër i njohur për policën, ku ka qenë I dënuar 5 herë për vepra të ndryshme penale, ndërsa është edhe një nga organizatorët e sulmit me armë ndaj “Hotele Voloreka” në Tushemishtë të Pogradecit në vitin 2020.
“Rreth orës 02:30, në sheshpushimin e një pallati midis katit të parë dhe katiti të dytë, në afërsi të banesës së shtetasit M. B, është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sulmi me armë në Hotele Voloreka në 2020
Meard Berberi dhe Ilir Berberi ishin organizatorët e sulmit me armë ndaj Hotel Voloreka në Tushemishtë të Pogradecit në 2020. Objektiv i sulmit ka qenë pikërisht pronari i hotelit, Jetmir Muçollari, ku autorët nuk kanë dashur që ai të dëshmonte në një seancë gjyqësore, duke hasur rezistencën e këtij të fundit. Sulmi ndodhi në kulmin e sezonit turistik, ku në hotel kishte edhe pushues vendas dhe të huaj. Anterio Kaloshi në rolin e atentatorit qëlloi me 100 plumba në drejtim të dhomës së djalit pronarit, Jetmir Muçollari, mbrëmjen e 8 gushtit në 2020.
Dënimet ndër vite të Meardi Berberit, i cili ishte liruar së fundmi duke përfituar nga amnistia penale’
08.08. 2020: Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake.
10.02.2019: Kundërshtim i punonjësit të policisë, Prishje e rendit dhe qetësisë publike
24.02.2018: Kanosje, prishje e qetësisë publike.
24.04.2011: Plagosje e rëndë me dashje
20.06.2008: Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim dhe Armëmbajtje pa leje.
/rtsh.al/