Shpërthim pranë Parlamentit, tritol makinës së drejtorit të firmës
TIRANË- Shpërthen përballë Parlamentit automjeti i drejtorit të një firme ndërtimi në kryeqytet. Ngjarja ndodhi mbrëmë vonë, në rrugën "Xhorxh Bush", në kryeqytet, kur mjeti që ishte parkuar me pamje nga Veriu shpërtheu duke lënë të plagosur lehtë në krah një person, pronar i një dyqani pranë vendit të ngjarjes. Automjet fuoristradë ngjyrë blu me targa të Tiranës, shpërtheu në mënyrë të papritur mbrëmjen e djeshme pak kohë pasi ishte parkuar nga pronari i saj drejtor i një firme të njohur betoni në Tiranë. Shpërthimit veç se i ka shkaktuar një plagë të lehtë pa probleme pronarit të një prej dyqaneve pranë zonës, ka shkakuar dëmtimin e disa automjeteve, disa dyqaneve dhe lokaleve aty si dhe xhamave të zyrave të ndryshme mes të cilëve edhe ajo e ish- të Përndjekurve Politikë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak kohë pas shpërthimit, për të nisur menjëherë hetimin e ngjarjes. Ndërkaq blutë kanë shoqëruar në ambientet e tyre pas mjekimit pronarin e plagosur lehtë, ku ky i fundi ka dhënë dëshminë e tij për hetuesit. Sipas dëshmitarëve që janë pyetur nga policia, personi i cili është identifikuar me emrin Ilir, ka qenë duke ulur qepenin e dyqanit të tij të këpucëve, ndërsa fare pak metra mbi të ndodhej e parkuar fuoristrada ngjyrë gri me targa të Tiranës. Sapo ai ka ulur qepenin, mjeti ka shërthyer duke shkatuar dëme të ndryshme në godinën e ish- të Përndjekurve që ndodhet fare pak metra larg godinës së organit ligjvënës të Shqipërisë. Nga shpërthimi personi ka marrë një gërvishtje të lehtë në krah dhe më pas është dërguar në spital ku është fashuar dhe më pas në komisariat. Nga shpërthimi mjetit iu është hapur kofano, dhe disa pjesë të tij si dyert dhe sediljet janë dëmtuar bashkë me pjesë të ndryshme në motorr. Sipas dëshmitarëve drejtori i firmës së njohur të ndërtimit, kishte vetëm një javë që e parkonte mjetin në këtë zonë, ndëra dje e kishte lënë si çdo ditë aty rreth orës 20:30. Pronari i mjetit është marrë nga policia në pyetje bashkë me persona të tjerë, ndërsa mbrëmë ende nuk mund të flitej për shkaqe apo motive të mundshme të ngjarjes.