E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Ndërkombëtar i Butrintit flet shqip, por mungon Shqipëria

SARANDE - Pas dy shfaqjesh, në italisht dhe greqisht, të interpretuara me mjeshtëri të lartë, ne formatin e kant-teatrit dhe danc-teatrit në platformën e Teatrit Antik të Butrintit zbriti edhe shfaqja në gjuhën shqipe, e ardhur nga trojet shqiptare nga Kosova. Në përbërje ishin dy trupa të kombinuara të kompanive teatrore "Dodona " dhe "Syth", bashkim i realizuar nga regjisori Fadil Hysa. "Kompozimi u bë për të rritur mundësitë interpretative të tragjedisë nga më të njohura të letërsisë botërore "Fedrës" së Rosinit si dhe për përfshirjen e elementëve të rinj e të talentuar në përvojat profesionale të festivaleve të tillë me karakter ndërkombëtar", tha regjisori.

Deri këtu çdo gjë është në rregull me protokollin e prezencës së gjuhës shqipe në eveniment. Por është e pashpjegueshme mospjesëmarrja e një trupe teatrore nga Shqipëria në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit, si vend organizator për tu përballur me vlerat dhe ballafaquar realisht me nivelet, prirjet dhe arritjet e teatrit bashkëkohor në rajon e ndoshta më gjerë. Arsyet e mospjesëmarrjes, mund të jenë çfarëdo, por ato nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme për bojkotimin e Festivalit të Butrintit.

Arsyet mund të jenë sa financiare edhe profesionale. Justifikimi i pamundësisë financiare për sigurimin e pjesëmarrjes është pa baza, sepse në se drejtoritë e teatrove, që nga ai kombëtar e deri tek teatrot e financuara nga bashkitë me pak përpjekje do të kishin mundësuar pjesëmarrjen e një trupe të vetme në këtë Festival . "Mesa duket, trupat i shmangen konkurimit dhe ballafaqimit të cilësisë së vlerave të krijuara nga trupat teatrore në këto institucione artistike, që janë kthyer më shume në institucione të përkrahjes sociale të një personeli që paguhet dhe nuk punon", vlerësojnë kritikët. Këtë e tregon trupa miks e Prishtinës, e cila me cilësinë modeste siguroi pjesëmarjen, pas një pune mbi dy mujore në tavolinë e në skenë, të mbështetura nga Qeveria e re e Kosovës dhe Telekomi që financuan projektin me 17 mijë euro për këtë trupë, e cila erdhi për tu ballafaqur me trupat me traditë historike në vënien ne skenë të veprave të autorëve klasikë, si italianët e grekët. Si për koicidencë në këtë skenë këto vepra janë luajtur në gjuhën helene, romake dhe vendase qysh në kohën e krijimit të skenës dhe teatrit këtu në Butrint.



Redaktoi: Teatri i Prishtines  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›