E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërthim tritoli në Tiranë – Ngjarja në një garazh, pronari i arrestuar më herët për vjedhje automjetesh

Një sasi tritoli shpërtheu në një garazh në kryeqytet. Ngjarja u shënua pak pas mesnate, ku policia thotë se një sasi e konsiderueshme u vendos në portën e garazhit ndërsa u dëmtuan disa automjete.

Sipas të dhënave të Policisë, garazhi është në pronësi të Elvis Kosovës, i cili një vit më parë u prangos bashkë me një shtetas turk, për vjedhje automjetesh të shtrenjta.

Elvis Kosova, 39-vjeç, mësohet se ka deklaruar menjëherë pas ngjarjes, se nuk e ka idenë se kush mund të ketë qenë autori ndërsa ka theksuar se nuk ka konflikte me njeri.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, rezulton se ka qenë një person i maskuar që ka vendosur sasinë e tritolit e më pas është larguar në këmbë.

Elvis Kosova i njohur ndryshe si “Visi i garave”, apo “Visi i makinave të shpejta”, u arrestua në gusht të vitit të kaluar nga policia, pasi u akuzua për vjedhjen e një Audi R8 me vlerë rreth 200 mijë euro, por rezulton të jetë liruar disa ditë më vonë.

Së bashku me një turk kishte arritur të marrë përmes mashtrimit një automjet me vlerë 200 mijë euro. Turku kishte marrë një Audi me qira në Gjermani, ka ardhur në Shqipëri dhe ia ka dhënë Kosovës, i cili më pas ka bërë kallëzim në polici se ia kanë vjedhur.

Nga hetimet, automjeti rezultoi se ishte në duart e Kosovës, i cili e kishte çuar në shtëpinë e një 20-vjeçari në Prush, në periferi të Tiranës. Aty, policia e gjeti në oborr të mbuluar me mushama dhe e sekuestroi.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›