Shpërthim tritoli në Vlorë – Lënda plasëse iu vendos një biznesi, vetëm dëme materiale

Një shpërthim tritoli ka ndodhur në një biznes në qytetin e Vlorës rreth orës 23:30 të së martës në lagjen “Bashkimi”.
Policia bën me dije se lënda plasëse ishte vendosur në dritaren e biznesit që shërben si servis dhe dyqan për shitjen e motorëve, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar në njerëz.
Paraprakisht, thonë burimet, brenda grupit hetimor bëhet fjalë për një person, i cili është parë t’i afrohet biznesit pak para shpërthimit, megjithatë mbetet për t’u verifikuar nëse është autori. Policia ka sekuestruar pamjet e sigurisë në zonën ku ndodhet biznesi i marrë me qira nga shtetasi Vasillaq B.
Dyshimet paraprake të policisë, marrë parasysh profilin e qiramarrësit, janë për ndonjë konflikt të çastit ndodhur në servis.
/rtsh.al/