E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi me tritol në Kamëz, i lidhur me gjobën 500 mijë euro. Policia arreston tre persona

Brenda vetëm 24 orëve, Policia e Tiranës arriti të zbardhë shpërthimin me tritol në restorantin “Perla e Detit” në Kamzë, ngjarje e shkaktuar nga refuzimi i pronarit për të paguar një gjobë prej 500 mijë eurosh. Shpërthimi ndodhi në pjesën e jashtme të lokalit dhe, fatmirësisht, nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale.

Si rezultat i operacionit të koduar “Motivi”, tre persona janë arrestuar: Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, ndërsa një tjetër 31-vjeçar vijon të jetë në kërkim. Hetimet tregojnë se të arrestuarit dyshohen për “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Jeton Lami, ish-oficer i forcës së Posaçme Operacionale, njihet si personi i fundit që takoi Ervis Martinajt para zhdukjes misterioze të këtij të fundit. Ai u arrestua në gusht 2022 për “shpërdorim detyre” dhe në maj 2023 u dënua nga Gjykata e Lezhës me 2 vite e 10 muaj burg, dënim i cili iu ul për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Lami në atë kohë ka pohuar se e ka njohur Martinajn prej shumë vitesh dhe mohon të ketë pasur miqësi të ngushtë, ndërsa hetuesit e konsiderojnë person kyç për zbardhjen e zhdukjes së tij. Ai u lirua nga burgu më 24 nëntor 2023 pasi përfundoj dënimin.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›