Shpërthimi në Ibër-Lepenic, arrestohet një tjetër person i dyshuar për sulmin

Policia e Kosovës ka arrestuar një tjetër person lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit në Ibër – Lepenic, tre ditë më parë.
Personi identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është nga komuniteti serb në veri dhe dyshohet se ka pasur rol të rëndësishëm në grupin përgjegjës për shpërthimin në infrastrukturën kritike të Kosovës, tre ditë më parë.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar municione, paisje ushtarake dhe sende të tjera të jashtëligjshme. Lidhur me ngjarjen, autoritetet në Kosovë shoqëruan fillimisht 10 persona, tetë prej të cilëve u liruan dhe 2 të tjerët ndodhen në paraburgim.
Aktualisht situata në veri të vendit paraqitet e qetë ndërsa ka prani të shtuar të forcave të policisë së Kosovës dhe KFOR e EULEX. Qeveria në Prishtinë kishte kërkuar edhe vendosjen e ushtrisë në zonë, megjithatë një gjë e tillë u refuzua nga misioni i NATO-s, në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013. /vizionplus.tv