E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpërthimi në Stamboll/ Turqia, sulme ajrore në Siri, vriten 12 persona! Ministria: Ka ardhur ora e llogarisë

Turqia ka sulmuar në rrugë ajrore Sirinë, duke goditur postet kurde dhe pozicionet e ushtrisë siriane, duke lënë të vdekur 12 persona. Sulmet vijnë pas një shpërthimi vdekjeprurës në qendër të Stambollit, për të cilin Ankaraja ka fajësuar Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Ministria e Mbrojtjes turke, në një postim në Twitter, ka postuar një foto të një avioni që ngrihej për një operacion, ndërsa shkruan se ka ardhur ora e llogarisë.

Siria, ku një luftë shumë komplekse ka nisur që nga viti 2011, është copëtuar nga ndërhyrjet e organizatave të ndryshme dhe fuqive të huaja. Ankaraja, trupat e së cilës janë të pranishme në disa zona të Sirisë veriore ku kanë krijuar baza, ka kërcënuar që nga maji të nisë një sulm të ri në shkallë të gjerë kundër SDF-së, të cilën ajo e përshkruan si një organizatë “terroriste”.

Qeveria turke thotë se synon të krijojë një “zonë sigurie” 30 km të gjerë përgjatë kufirit të saj jugor. Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të mëdha ndërkufitare në Siri.

Shpërthimi ndodhi në sheshin Taksim në Stamboll duke i marrë jetën 6 personave dhe plagosur 81 të tjerë. Sulmi është cilësuar nga autoritet turke si terrorist dhe i bërë nga një grua e cila është arrestuar. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›