Shpërthimi në Teksas, kërkime nën rrënoja
Shërbimet e emergjencës në SHBA janë duke kërkuar për të mbijetuar në rënojat e fabrikës së prodhimit të plehrave kimike në Teksas, pas shpërthimit të djeshëm si pasojë e të cilit humbën jetën disa persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Më shumë se 160 persona mbetën të plagosur dhe dhjetëra ndërtesa u shkatërruan në qytezën e Uestit, pranë Uakos.
3-4 zjarrëfikës vullnetarë figurojnë midis të humburve pas shpërthimit, i cili prodhoi lëkundje të barazvlefshme me ato të shkaktuara ngë një tërmet i vogël.
Besohet se në zanafillën e tragjedisë ishte amoniku, një lëndë kimike e përdorur gjerësisht në plehrat kimike dhe me veti të larta shpërthyese.
Për momentin, nuk ka të dhëna nëse bëhet fjalë për një incident industrial apo ndonjë arsye tjetër, por autoritetet po e trajtojnë vendin e ngjarjes si skenë krimi, teksa paralajmërojnë se bilanci njerëzor i tragjedisë mund të përkeqësohet në orët e ardhshme.