E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat Kosovë-Serbi, sot raundi i dhjetë i bisedimeve

Delegacionet nga Kosova dhe nga Serbia, që po negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, tashmë ndodhen në Bruksel.

Ndërsa delegacioni i Kosovës, me në krye kryeministrin Hashim Thaçi, pas ftesës nga Baronesha Ashton, u kthye nga Lubjana, ai i Serbisë, siç njoftuan mediat e Beogradit, që mbrëmë ka udhëtuar drejt Brukselit.

Ata pritet të takohen në mesditë në raundin e dhjetë. Raportuesit nga Brukseli përmendin mundësinë që marrëveshja të nënshkruhet në orën 15:00 të ditës së sotme.

Në raundin e nëntë të bisedimeve Kosovë- Serbi, i cili kishte zgjatur rreth 14 orë, nuk u arrit marrëveshja e pritur dhe propozuar nga BE, ndonëse ishte paralajmëruar se palët ishin shumë afër marrëveshjes.

Palët ndërkohë fajësuan njëra tjetrën për dështimin. Ndërsa Daçiç theksoi se kryeministri i Kosovës po refuzonte marrëveshjen, duke futur në kuadër të saj çështje të papranueshme për Serbinë, si mospengimin e njëra tjetrës për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, Thaçi këtë kërkesë e arsyetoi të domosdoshme dhe në interes të të dy vendeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›