E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpërthimi në Zubin-Potok, Berisha: Beogradi kërkon me çdo kusht destabilizim në Kosovë

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar “aktin terrorist” të ndodhur në veri të Kosovës, mbrëmjen e 29 nëntorit, ku sipas autoriteteve është shpërthyer me eksploziv një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit.

Sipas Berishës, Beogradi kërkon me çdo kusht destabilizim në Kosovë. Berisha shtoi me tej se “uroj që përgjegjësit të vendosen para ligjit”, ndërsa i kërkoi Tiranës zyrtare që mos të ndërhyjë “në punët e brendshme të Kosovës”.

“Këto akte terroriste të cilat zhvillohen pas shpalljes nga presidentja e Kosovës të datës së zgjedhjeve dhe shprehjes së vullnetit të Listës Serbe për marrjen pjesë në këto zgjedhje, kanë synim madhor destabilizimin e atij rajoni dhe dekurajimin e serbëve, për të marrë pjesë në proceset demokratike, në Kosovë në vendin e tyre”, u shpreh Berisha.

“Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit, i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, kërkon me çdo kusht, destabilizimin e Kosovës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, një skenar i tillë, është skenar tipik i Rusisë së vogël, që i shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit.

“Situata në Kosovë, kriza e konservuar në Kosovë, është rrjedhojë e qëndrimeve fund e krye konfliktuale të Beogradit, synimit të  tij për të mbajtur shtetin serb në Kosovë dhe për të zmadhuar siç shprehej vetë Vuçiçi Serbinë, duke nënkuptuar këtë zmadhim me territoret e Kosovës.

Kjo situatë është në interesin më të mirë të Kremlinit, i cili kërkon që krahas fronit të luftës në agresionin që bëri ndaj Ukrainës, të ketë edhe një konflikt tjetër në Ballkan, po në interesa të tij”, tha Berisha.

Po ashtu Berisha bëri thirrje që të hiqen sanksionet kundrejt Kosovës, ndërsa kërkoi reagimin e faktorit ndërkombëtar. Sipas Berishës, zgjidhja më e mirë është anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Bëj thirrje të hiqen menjëherë të gjitha sanksionet absurde të vendosura ndaj Kosovës, një vend demokratike, defakto vendi më demokratik i rajonit. Sikundër i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar në tërësi dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në veçanti, të mbajë parasysh se Kosova është territor i NATO-s, dhe zgjidhja absolute, më e mirë për Kosovën dhe sigurinë e NATO-s është anëtarësimi i këtij vendi në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky është interesi i paqes dhe sigurisë në rajon. Kosova territor i NATO-s dhe askush nuk duhet dhe nuk mund të luajë me këtë territor, këtë vend”, tha Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›