Rama: Atmosfera e mbingarkuar në media, krijon tension artificial në shoqëri

TIRANË, 30 nënntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga shkolla “Janaq Kilica” në kuadër të turi të takimeve dhe konsultimit publik me prindër dhe mësues në të gjithë vendin për kufizimin apo ndalimin e platformave TikTok apo dhe Snapchat e vuri theksin edhe tek roli i medias duke e cilësuar komunikimin përmes ekraneve shqetësues.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “në një furtunë të përditshme lajmesh pjesa më e madhe e të cilave janë gjysmë të vërteta, një lumë i madh njerëzish që flasin që debatojnë, por që në fakt nuk debatojnë, por zihen, një mënyrë komunikimi përmes ekraneve që është shqetësuese. Në këndvështrimin tim kulmon aty ku normalisht duhet të kishte si minimum një etikë komunikimi që është salla e parlamentit”.
Kreu i qeverisë tha se “në gjithë këtë atmosferë të mbingarkuar që është një pasqyrë shumë e deformuar e realitetit, jo se realiteti nuk ka probleme, realiteti mund te ketë probleme më të thellë se ato që diskutohen, por fakti që nga problemet reale merren spunto për të hedhur në mexhelis më shumë material në favorin tënd dhe kundër tjetrit bëjnë që shoqëria të jetojë një lloj tensioni artificial që prodhon vështirësi në të gjitha marrëdhëniet dhe këtu në mes në këtë vorbull ku janë të gjithë të përfshirë hyjnë fëmijët që përveç të tjerave jetojnë në dy botë komplet paralele”.
“Nëse janë më pak të afektuar nga bota paralele e mediave që kanë të bëjnë me të rriturit, por tensionin e asaj bote e marrin nëpërmjet të rriturve janë shumë të afektuar nga bota paralele mes klasës, shtëpisë dhe ekranit të Tiktok , Snapchat apo cilido rrjet tjetër social”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shoreh se ‘tha një këtu nga zonjat që ata janë selektiv. Në fakt, faktkeqësisht nuk janë ata selektivë, është algoritmi i platformave që i fut ata thellë e më thellë në ato gjëra, të cilat ata shikojnë, sepse në përmbajtjen e vet, këto platforma kanë një instrument shumë djallëzor, që marrin informacion nga çdonjëri prej nesh. Për njëri-tjetrin, në këto platforma ne jemi persona, ndërsa për platformat ne jemi mallra, njësoj si ato që shkojnë blejnë në markete që kanë atë kodin e tyre, secili prej nesh në ato rrjete përsa i përket vetë platformës ka kodin e vet. Dhe kur nga ky kod platformës i klikohet, i intereson kjo, i intereson ajo, platforma t’i sjell ato sapo t’i hyn”.
Dhe për këtë arsye, shtoi Rama, ne të gjithëve në platformë na shfaqen gjëra të ndryshme, sipas fushave të interesit.
“Tani imagjino te fëmijët. Një fëmijë hyn ose për kuriozitet, ose rastësisht në një nga ato pjesë të labirintit të pafundëm, ku ka diçka që ai nuk duhet ta shohë. Në atë moment që fëmija hyn në kodin e tij platforma lexon që “ky ka interes për këtë,” ku platforma s’bën dallime me moshën. Ky është problemi i problemit, nuk bën dallime me moshën. Një fëmijë mund të jetë dhjetë vjeç, futet aty dhe mund të shkojë në të gjithë platformën. Nuk ka, gardhe, nuk ka identifikim, nuk thotë kush je, sa vjeç je, ça problemesh ke? Por thjesht je një kod. Kodi ynë në platformë dhe kodi i fëmijëve tanë s’kanë dallim nga njëri-tjetri”, nënvizoi Rama.
Ndërsa për platformën, vijoi Kryeministri, të gjitha kodet janë të ndryshme sipas interesave dhe atëherë në atë lloj pjese të labirintit ku fëmija futet, ka jo një gjë që e sheh rastësisht, po ka qindra, mijëra gjëra që platforma fillon ja sjell.
“Dhe ai sa herë futet aty, merr gjithmonë e më shumë dhe është një gropë që i jep në pafundësi informacion dhe patjetër natyra njerëzore është vetë e bërë kështu, se edhe jeta njerëzore, siç e dini, fillon me mëkatin e mollës së ndaluar, aty fillon, e ndaluara është më tërheqëse sesa e lejuara, kur ti nuk je mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja, për të ndarë të ndaluarën nga lejuara, për të ndarë dhe për të kuptuar pasojat e njërës dhe të tjetrës. E pastaj, patjetër që të gjithë kemi qenë fëmijë, të gjithë kemi qenë adoleshentë dhe e dimë shumë mirë që të gjitha llojet e situatave ku na është dhënë mundësia që të bëjmë diçka që na ka pëlqyer, por që për prindërit ka qenë diçka që nuk do ishte gjëja e duhur, – këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale”, tha Rama.
E ndërkohë që me të gjithë ne, shtoi Rama, me të gjithë humanët, platformat bëjnë biznes.
“Janë biznese. Nuk janë hapësira demokratike. Janë biznes, të gjithë futën aty, pastaj bëhen të interesuar, pastaj fillojnë hyjnë në ato pjesët e tjera, ku jo reklamat, jo këto, afektohen. Edhe reklamat që vijnë të shfaqen, të vijnë të shfaqen kur je në një moshë të caktuar, që ke interesa të caktuara për mallra të caktuara ose për ku di unë, persona të caktuar, etj. Dhe në të gjithë këtë, jemi në kushtet e një kohe që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogat, është e njëjta varësi”, tha Rama.
/k.s/