Shpërthimi në makinë/ Emigranti kishte vrarë një person në vitin 99. E plagosur mbeti e dashura e tij holandeze
Zbardhen detaje të ngjarjes që shokoi banorët e Tiranës një ditë më parë.
Një makinë tip Benz shpërtheu në rrugën e Laprakës, duke plagosur rëndë drejtuesin e saj, Petrit Marku, 43 vjeç.
Marku ndodhet në gjendje të rëndë për shkak se eksplozivi i ka këputur të dy këmbët dhe ka humbur shumë gjak. Tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë me ish-të dënuarin, e dashura e tij holandeze, motra e tij dhe nipi (djali i motrës) kanë pësuar vetëm disa plagë të lehta.
Panorama raporton se një nga pistat kryesore të hetimit është hakmarrja, pasi Marku ka vrarë një person në vitin 1999.
Ai kishte rifituar lirinë, duke dalë nga Burgu i Shën Kollit, në Lezhë, vetëm para një viti, pasi kishte kryer 17 vjet burg për një vrasje të kryer në Tiranë, në vitin 1999.
Një vit nga dënimi i ishte falur në vitin 2010, nga amnistia e Presidentit të asaj kohe, Bamir Topi.
Krimin ai akuzohej se e ka kryer më 16 shkurt të vitit 1999, në rrugën Mine Peza, pranë bar Florial, kur Petrit Marku ka ekzekutuar me armë zjarri Manil Likën.
Burimet nga Policia e Tiranës thanë se konflikti mes tyre ka filluar kur Manil Lika ka pasur një përplasje me vëllezërit Franc e Gjin Doda nga Mirdita, miq të Petrit Markut.
Ky konflikt dukej se ishte mbyllur, pasi palët ishin pajtuar, por Marku ka insistuar më idenë se Lika mund të vriste vëllezërit Doda.
Mëngjesin e 16 shkurtit, 14 vjet më parë, viktima, Manil Lika, pasi ka çuar fëmijët në shkollë, shkoi te lokali ku ndodhi krimi.
Sipas burimeve, mësohet se aty u krijua një sherr më shumë me fjalë nga distanca dhe kërcënime verbale dhe vrasja më pas ndodhi për pyetjen Pse më shikon me inat?.
Fillimisht të dy protagonistët janë ndarë, pasi viktima u largua për në shtëpi. Disa minuta më vonë, Manil Lika mbërriti sërish te lokali.
Marku e ka parë teksa doli nga lokali dhe la pijen në gjysmë, ndërsa kundërshtari i tij po vazhdonte i qetë kafen. Teksa po kapërcente derën e lokalit, viktima është tërhequr nga Petrit Marku, i cili e ka qëlluar pesë herë në kokë dhe trup, duke e lënë të vdekur në vend.