E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Idrizi e ktheu PDU-në e çamëve në QTU të Saliut

Kreu i çamëve, i cili është betuar prej afro 2 vjetësh për të mos lejuar më injorimin e interesave çame nga qeveria SALI, tashmë po ligjëron ninulla për çështjen çame, por me kokën mbështetur në prehrin e pushtet-krimit SALI

Nga Kledian Lula

kledianlula@yahoo.com

Në fushatën zgjedhore parlamentare në qershor 2009, qëndrojnë të fiksuara në arkivat e TV-ve, gazetave dhe memorien e shqiptarëve, thirrjet radikale të kandidatit për deputet të PS, zotit Shpëtim Idrizi, për të mos dhënë asnjë votë për pushtetin e korruptuar, kriminal e anti-shqiptar të Sali Berishës. Me këtë thirrje të drejtë e të motivuar, natyrisht nën platformën dhe prestigjin popullor votëbesues të PS, Shpëtim Idrizi u bë deputet. Tashmë dihet që pa mbushur as 24 orë, deputeti Shpëtim Idrizi i ktheu shpinën PS dhe doli (gjoja) i pavarur. Më pas, si një lojë bilardo, krijoji një filial-parti të re çame, duke rekrutuar si bashkëthemelues edhe deputetin e partisë çame, Dashamir Tahiri.

Deri këtu edhe mund të mos paragjykohet, paçka se bëri diversion mbi partinë çame mëmë, duke nxjerrë jashtë lojës së kolltuqeve qeverisëse Tahir Muhedinin, mbështetësin praktik të pushtetit të Berishës në ato zgjedhje-vjedhje, parti të cilës Berisha nuk i hodhi asnjë kockë pushteti. Por gjithë spiralja e pabesë ndaj PS, ndaj votuesve të majtë shqiptarë dhe ndaj çamëve, nuk mund të justifikohet me faktin që balerini- gjeniu i vogël Shpëtim Idrizi, krijoji përsëri në parti çame dhe deklaroi, se kjo sh.p.k parti do të jetë mbrojtëse e çështjes çame në parlament në KE e deri në SHBA.

Sipas hapave që ka hedhur më tej Shpëtim Idrizi, rezultoi se çështja çame duket se paska qenë më e dobët, ose më saktë më teorike se çështjet praktike të kryetarit Idrizi në raport me pushtet-krimin SALI. Kreu i çamëve, i cili është betuar prej afro 2 vjetësh për të mos lejuar më injorimin e interesave çame nga qeveria SALI, tashmë po ligjëron ninulla për çështjen çame, por me kokën mbështetur në prehrin e pushtet-krimit SALI. Në vazhdimësi në këto 20 vite, çamët janë distancuar nga Sali Berisha dhe PD, duke e akuzuar publikisht në media e në parlament (aleati Shpëtim Idrizi), për aleancë të heshtur publike dhe aktive për politikë anti-çame në prapaskenë me qarqet zyrtare greke. Fakti është ky: PDSH e komanduar nga Sali Berisha ka 20 vjet që po injoron dhe nuk po përcjell për zgjidhje çështjen çame, as në kuvendin e Shqipërisë e jo më në KE, apo institucionet ndërkombëtare.

Shpëtim Idrizi dhe deputeti i tij rekrut Dashamir Tahiri, si dhe Presidenti i Nderit Tahir Muhedini (me nder qoftë), kanë vënë partinë e tyre PDU në dispozicion të fushatës së aleancës SALI-ILIR, ose më saktë në shërbim oturak të aleancës anti-çame, duke kërkuar vota për ekzistencën në pushtet të kësaj bande qeverisëse, e cila siç dihet, përveç shkatërrimit dhe plaçkitejs së Shqipërisë, ka në axhendën e saj dhe bllokimin e çështjes çame.

Po a duhej të bëhej PDU (i kanë shtuar dhe një I) pjesë e pushtetit SALI? Natyrisht që jo! Pse? Sepse historikisht këto 20 vite, PD e komanduar prej Sali Berishës, nuk ka shqiptuar qoftë edhe një rrokje të vetme në mbështetje të çështjes çame. Edhe pse çamët kanë kërkuar që PD ta mbështeste çështjen çame deri me rezoluta në parlament, PD-SALIU nuk e ka bërë këtë gjë. Përkundrazi, ka heshtur qëllimisht në favor të interesave e politikave shtetërore greke, që çështja çame të mos bëhet temë e debatit publik e ligjor, as në Kuvendin e Shqipërisë, as në qeverinë shqiptare, as në Parlamentin dhe Këshillin e Europës. Madje akoma më tej, PD dhe pushtetet SALI vazhdojnë të jenë gojë kyçur për këtë çështje me përmasa kombëtare. Ndërkohë që duhet të veprojë aktivisht për Çamërinë, pushteti SALI u jep grekëve pjesë territoriale detare shqiptare, nxjerr ligje ekstra për ndryshimin e kombësisë dhe etnisë së shqiptarëve.

Po pse gjendet Shpëtim Idrizi në prehrin e anti-çamit dhe anti-shqiptarit Sali Berisha? Nuk do kishte asnjë vlerë nëse do të bënim komente apo hamendje, sepse kjo dihet dhe duket qartë. Shpëtimi, i vetëdeklaruari dhe i votuari i çamëve dhe shqiptarëve si shpëtues i çështjes çame, ka hipur mbi disa kolltuqe të pushtet-krimit SALI, jo si luftëtar për çështjen çame, por si menaxher për interesa të veta dhe të mini-grupit që ka në kryesinë e PDU. Sali Berisha e ka joshur luftëtarin pro çam me ca poste zyrtare të nivelit të tretë, por që kanë financa si postet e nivelit të parë, ku shef personeli dhe kryefinanciar bilancesh janë tre musketierët, të cilët e kanë kthyer PDU e çamëve, në QTU të pushtetit-krimit anti-çam SALI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›