E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtimtari i Selanikut ekspozohet tek vendasit

"Shën Dhimitri" një vepër e mrekullueshme ikonografike e koleksionit të ikonave të Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës, është ekspozuar në Selanik. E veshur me një vel ari, e vitit 1725 e pikturuar nga dora Kostandin Jeromonakut, pas Greqisë do të ekspozohet në Nju Jork


Shpëtimtari i selanikasve kthehet i botuar si një vepër arti, si dëshmi e një trashëgimie shpirtërore që dikur i ka lidhur më fort se sot njerëzit me njëri-tjetrin. "Shën Dhimitri", një nga veprat më të rralla të ikonografisë shqiptare u ekspozua për herë të parë në një ekspozitë ndërkombëtare të quajtur "Arkitektura në ikona", të zhvilluar në qytetin grek të Selanikut.


Ndër veprat e 30 muzeumeve të botës, ikona që vinte nga Korça ka zgjuar edhe ajo tek vizitorët interes. Është e vitit 1725, e realizuar nga një autor me peshë i periudhës bizantine, Kostandin Jeromonaku.


Ekspozita "Arkitektura në ikona" është organizuar nga Muzeu i Kulturës Bizantine në Selanik, Qendra Evropiane e Monumenteve Bizantine si dhe Princeton University -i në SHBA.


Ekspozita ikonografike e çelur në 6 Nëntor do të qëndrojë e hapur për tre muaj në qytetin grek, ndërsa më pas do të zhvendoset në SHBA, në Nju Jork. Drejtori i Muzeut të Artit Mesjetar nga fondi i të cilës ka dalë kjo ikonë, i porsa kthyer në Korçë tregon për jehonën dhe kureshtinë e kritikëve të artit si dhe specialistëve të artit bizantin ndaj ikonës së "Shën Dhimitrit".


"Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ka marrë një ftesë për të qenë mes 30 muzeumeve të artit binzantin më të njohur të botës për ekspozitën "Arkitektura në ikonë". Bashkë me stafin menduam të nxjerrim nga fondi jonë këtë ikonë me vlera të papërsëritshme dhe e një autori shumë të njohur shqiptar.


Pas çeljes së ekspozitës kemi marrë vlerësime të shumta, ndërkohë që muzeu ynë vjen pas një suksesi të vërtetë në një tjetër ekspozitë të hapur në Itali pak kohë më parë",- ka pohuar për gazetën "Shekulli" drejtori i muzeut Lorenc Glozheni.


Sipas Glozhenit është zgjedhur enkas kjo vepër me një fasadë prej ari e cila e ka origjinën nga kishat e Voskopojës. Ikona "Shën Dhimitri, shpëtimtari i Selanikut" është bërë pjesë e fondit të Muzeut të Artit Mesjetar pas vitit 1967 kur ndodhi mbyllja e monumenteve të kultit dhe konfiskimi i objekteve të ritit religjioz.


Vepra është vërtet e vitit 1725, ndërsa historia e shenjtorit i paraprin disa shekuj.
Sipas studiuesve të artit bizantin por edhe të kësaj periudhe historike Shën Dhimitri ka një histori që i përket shekullit XIII.


Shenjtori mbrojtës i Selanikut paraqitet mbi kalë dhe është pikturuar në një sfond ari. Në të djathtë të tij, në pjesën e poshtme, ndodhet Selaniku, sot kryeqendra kulturore e Greqisë. Në një pjesë të peizazhit shfaqet porti dhe prania e anijeve në të.


Shenjtori mbi kalin e kuq paraqitet në momentin e uljes së tij, ndërkohë që në pjesën e poshtme të ikonës, në krahun e djathtë të saj, ndodhet dhe Cari Kala Johan i Bullgarisë. Shën Dhimitri është kthyer në mbrojtësin e selanikasve prej bullgarëve nga pushtimi i tyre në fillim të shekullit XIII.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›