Shpëtohet turisti rumun që mbeti i bllokuar në Gjipe

Një turist 45-vjeçar me shtetësi rumune është shpëtuar nga shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse pasi mbeti i bllokuar në thellësi të Kanioneve të Gjipesë, në zonën e Dhërmiut.
Sipas njoftimit të Policisë, turisti kishte pësuar dëmtime në këmbë gjatë lëvizjes në terrenin e vështirë të kanioneve, duke mbetur i izoluar dhe i paaftë për të dalë nga zona.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, organizuan operacionin e kërkim-shpëtimit.
Për shkak të terrenit të thyer dhe rrezikshmërisë së lartë, ekipet e shpëtimit përdorën pajisje të specializuara për të arritur te 45-vjeçari dhe për ta nxjerrë në mënyrë të sigurt nga kanioni.
Pas operacionit, turisti u transportua drejt spitalit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
45-vjeçari ka falënderuar efektivët e Policisë dhe forcat zjarrfikëse për ndërhyrjen e shpejtë, e cila bëri të mundur shpëtimin e tij.
Kanionet e Gjipesë janë një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Rivierën shqiptare, por terreni i tyre i vështirë dhe shkëmbor kërkon kujdes të shtuar nga vizitorët, veçanërisht gjatë sezonit veror.