E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shpëtoi serben nga zjarri, mediat e huaja jehonë shqiptarit nga Kosova

Mediat serbe i kanë bërë jehonë shqiptarit nga Kosova me banim në Gjenevë, pasi siç shkruan 20min.ch, Mexhidi ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar nga flakët një serbe. Ivana është shtetasja serbe e cila në 24 prill po luftonte me flakët, në momentin që shqiptari nga Kosova u fut në banesën e saj për t’i shpëtuar jetën.

Ai ishte duke kaluar në rrugë në momentin që ka parë se nga një banesë po dilnin shtëllunga të mëdha tymi dhe flakësh. Mexhidi 26-vjeçar nuk ka hezituar, por është futur menjëherë në banesë për të shpëtuar njerëzit që ndodheshin brenda.

 “Dikush po bërtiste në një ballkon. Nga dritarja e katit të poshtëm dilte tym, vrapova dhe hyra, kishte aq shumë tym, sa nuk gjeta njeri. Dola për të marrë frymë dhe u ktheva, pastaj munda ta tërhiqja zvarrë Ivanën në dritare, por jo ta nxirrja jashtë. Një fqinj më dha një leckë të lagur, shkova përsëri, sepse mendova se një fëmijë ishte ende në të, më pas mbërritën zjarrfikësit”, ka rrëfyer Mexhidi për mediat zvicerane.

Por sipas medias 20min.ch, historia bëhet edhe më e bukur kur dy qytetarë të dy vendeve që kanë qenë në luftë, qëndrojnë larg armiqësive.

“Edhe po ta dija, nuk do të kishte ndryshuar asgjë. Nuk e mendoja. Kishte një jetë për të shpëtuar, serb ose shqiptar nuk ka rëndësi”, thotë Mexhidi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›