E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtojnë, fatmirësisht

Tridhjetë nxënës nga Peja të premten kërkuan ndihmë në spitalin e këtij qyteti. Ata morën lëndime të rënda pasi mbi trupat e tyre ranë mbajtëse e hekurta të shkallëve në sallën e sporteve “Karagaç”. Të gjithë janë liruar për në shtëpi, përveç pesë vajzave që po vazhdojnë kurimin dhe dy të tjerave është dashur të dërgohen në Prishtinë për shkak të gjendjes më të rëndë. Fatmirësisht, të gjitha janë jashtë rrezikut për jetë.

Ishin mbledhur për një koncert humanitar, por atyre u ndodhi një tragjedi, shkruan express.

Me dhjetëra nxënës të shkollave fillore të Pejës janë lënduar rëndë e lehtë, kur për një moment në palestrën e sporteve “Karagaç” në Pejë ishin shembur disa mbrojtëse të shkallëve duke rënë kështu mbi trupat e tyre.

Më shumë se tridhjetë nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Pejës, ku pesë nga ta janë ndaluar për shërim të mëtutjeshëm mjekësor. Derisa dy të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ata janë shëruar në Qendrën Klinike Universitare në Pejë, megjithëse jashtë rrezikut për jetë.

Basri Lenjani, drejtori i Emergjencës, ka konfirmuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe dy nxënësit janë jashtë rrezikut për jetë. Përveç nxënësve dhe arsimtarëve të shumtë në palestrën sportive në Pejë kishte edhe familjarë të nxënësve që kishin shkuar në koncertin humanitar.

Gëzim Devolli, kirurgu kujdestar, thotë se në spital kanë kërkuar ndihmë plot 30 nxënës, që kishin pësuar lëndime përgjatë koncertit. “Të tjerët pas trajtimit janë liruar për në shtëpi. Kurse pesë vajza janë ndaluar në qendër për shkak që kanë marrë lëndime më të rënda”, tregon Devolli për Express. Sipas tij, përveç këtyre pesë vajzave, janë edhe dy fëmijë të tjerë që është dashur të dërgohen menjëherë për në Spitalin e Prishtinës. “Gjendja e tyre ka qenë pak ma e rëndë, por jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë ai.

Njëra ndër to është nxënësja 15 vjeçare Kumrie Shala nga Peja. Ajo thuhet se është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e lëndimeve që mori pas rrëzimit të një pjese të tavanit në njërën nga shtëpitë e kulturës në Pejë. Këtë e ka konfirmuar edhe Lulëzim Hoti, mjek kujdestar në Qendrën Emergjente të QKUK-së. Sipas tij, pacientja në fjalë ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe se e njëjta do të transferohet në kujdesin intensiv. “Gjendja e pacientes është hemodinamikisht stabile, por ka lëndime të rënda në kokë. Pas konsultimeve dhe analizave që i kemi kryer, këtu pacientja do të transferohet në kujdesin intensiv për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai. E menjëherë pas Kumries, për në Qendrën Emergjente është nisur edhe një nxënëse tjetër, pasi që nga lëndimet e marra ka pësuar gjakderdhje të brendshme. Emri i saj nuk është bërë ende i ditur.

Se si rrodhi e gjithë ngjarja pas së cilës nxënësit e disa shkollave të Pejës morën lëndime, ka rrëfyer për Express Jozefina Berisha, njëra ndër nxënëset që në atë moment ndodhej shumë afër tavanit. Ndonëse kishte marrë lëndime të shumta në trup, gjendja e Jozefinës ishte e mirë, prandaj pas trajtimit mjekësor ajo u lirua për në shtëpi. “Nuk mbaj mend mirë, pasi jam e traumatizuar, por e di që turma ka qenë e madhe aty prandaj edhe mbajtëset e shkallëve kanë rënë”, ka rrëfyer Jozefina për Express. “Unë kam rënë e para e pas meje edhe shumë të tjerë, të gjithë mbi mua. Jam lënduar në gjoks dhe në dorë, trupin nuk po e di që është i imi”, sqaron ajo.

Edhe familjarët e të lënduarve janë ata që po përjetojnë më së rëndi këtë tragjedi. Tahir Shala, prindi i nxënëses që po trajtohet në Qendrën Emergjente, pohon se nuk kanë qenë në dijeni se kush e ka bërë organizimin e koncertit. “Qysh kemi dëgjuar kanë qenë në një koncert humanitar në Pejë. Po a i ka dërguar shkolla apo kanë shkuar vetë, nuk e dimë. Vetëm e dimë se në sallën e sporteve në ‘Karagaç’ kanë qenë në katin e dytë dhe i ka lëshuar”, ka thënë ai.

Policia në Pejë ka konfirmuar rastin duke thënë se më shumë se njëzet nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e shembjes së shkallëve. Janë më shumë se 20 nxënës të lënduar, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ekipi mjekësor ka reaguar. Nxënësit po kurohen në spitalin e Pejës”, ka thënë zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhavt Ibraj. Në orët e mbrëmjes të ditës kur ndodhi ky aksident, vajzat që po vazhdojnë trajtimin e tyre në spitalin e Pejës u vizituan nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj si dhe nga kryetari i komunës, Ali Berisha. Që të tre u uruan nxënëseve shërim sa më të shpejtë.

Sidoqoftë, këta fëmijë nga qyteti i Pejës morën lëndime derisa kishin shkuar në koncertin humanitar që ishte organizuar Diellza Nimanaj, e cila vuan nga sëmundja e leukemisë e që ka nevojë për shumë të majme të parave, me të cilat planifikohet që të shërohet jashtë shtetit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›