Shpëtoni Agron Aliajn
Koreografi Agron Aliaj ndodhet në gjendje të rëndë, edhe pse jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmjen e 7 marsit ai është përplasur nga një makinë. Koreografi 79-vjeçar sapo kishte lënë provat në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe ishte duke kapërcyer rrugën pranë Teatrit kur është goditur nga një automjet Audi A6. Mësohet se vetë drejtuesi i mjetit e ka bartur artistin për në spitalin ushtarak në Tiranë.
Të afërm të Aliajt bërë të ditur se gjendja e njeriut të tyre është jashtë rrezikut për jetën, por mbetet delikate. Aliaj është zhvendosur dje në reanimacion. Është i vetëdijshëm, flet, por dy duart i janë paralizuar, thotë Nestor Kraja, kompozitor, nip i Aliajt. Kraja thotë se do të ishte e nevojshme që Aliaj të dalë pa pasoja nga ky aksident, të dërgohet për mjekim jashtë vendit. Sot pritet që grupi i mjekëve të ngarkuar për kujdesin e koreografit të marrë një vendim, nëse është e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale.
Agron Aliaj është i vetmi koreograf i baletit klasik, me karrierë 50-vjeçare, që vazhdon të punojë me trupën kombëtare të baletit. Studioi balet klasik në Moskë në vitet pesëdhjetë. Me tu kthyer në atdhe iu kushtua skenës si kërcimtar dhe koreograf, nga repertori kombëtar Delina, Halili dhe Hajria, Cuca e maleve etj. nga ai botëror Liqeni i mjelmave, Don Kishoti, Arrëthyesi. Bashkëpunoi me kompozitorët kryesorë si Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Tonin Arapi.
Së fundi, ai solli për krishtlindje baletin Zhilzel. / E.Demo