Shpëtoni Urën e Zogut
Ing. Vangjel Orolloga
Ura e parë mbi lumin Mat me gjatësi totale 474 metra është ndërtuar në fundin e viteve 20 të shekullit të kaluar. Ajo përbëhet nga 5 harqe me gjatësi 54.7 metra secili, fillimisht 6 metra por harku i fundit u bombardua nga gjermanët në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe u riparua. Nga ana tjetër ura ka 9 hapësira të drejta me gjatësi 16.15 metra secila. Kjo urë ishte dhe është krenaria e ndërtimeve të tilla, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë. Në të u zbatuan metodat e para të paranderjes e cila ishte në atë kohë në fazën eksperimentale në vendet e tjera të Evropës.
Për më shumë se 50 vjet ura ka shërbyer si e vetmja urë beton-arme që lidhte Shqipërinë e veriut me pjesën tjetër të saj. Nga shfrytëzimi i paskrupullt si dhe nga rritja e madhe e tonazheve të mjeteve të kalimit, ajo u dëmtua mjaft. Në vitin 2003-2004 qeveria Majko bëri një investim të mençur duke i akorduar një fond prej 105 milionë lekësh të reja për riparimin themelor të saj duke e kthyer në gjendjen fillestare. Gjithashtu investimi i shte i mençur edhe për faktin se u ruajt kjo perlë e rrallë, sepse ndërkohë ishin ndërtuar edhe dy ura të tjera mbi lumin e Matit, me përmasa dhe kapacitete të kohës së sotme.
Por kjo urë po vidhet dhe shqyhet prej disa muajsh në mënyrë të ngadaltë e të pandërprerë. Fillimisht ka nisur heqja e elementëve horizontalë të parmakëve të cilat për fat janë shina dekovili me peshë të konsiderueshme për hekur-skrap. Sot janë disa hapësira që janë zhveshur, domethënë nuk kanë parmakë. Në fazën fillestare është edhe shkulja, pra grabitja e profileve metalike të trotuareve. Po të lihet në mëshirën e hajdutëve nuk do të jetë e largët koha që asaj ure ti ngelet vetëm skeleti.
I bëj thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, sot Autoriteti Kombëtar i Rrugëve si dhe Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Lezhë që të marrin masat e duhura për ta ruajtur nga vjedhjet e mëtejshme këtë urë të rrallë që mund të konsiderohet pa frikë edhe monument kulture. Të bëj thirrje ty i dashur lexues që të mos jesh indiferent por të thuash fjalën tënde atje ku mundesh për të mbrojtur gjërat e rralla që kemi sepse ky është vendi ynë.