E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpirti andaluzian i flamenkos në Tiranë, Lucia La Bronce sjell mjeshtëri dhe pasion

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Valltarja e flamenkos, Lucia La Bronce solli shpirtin spanjoll në shfaqjen “Recóndito” në Katedralen Ortodokse.

Artistja ndezi atmosferën me energjinë e saj të papërmbajtshme, duke përfshirë edhe të pranishmit në magjinë e krijuar në skenë. Shfaqja “Recondito” erdhi për publikun kryeqytetas si pjesë e aktiviteteve të programuara gjatë Javës Kulturore Spanjolle.

Lucía La Bronce solli një performancë të jashtëzakonshme, ku kërcimi, këndimi, kitara dhe instrumentet e perkursionit u bashkuan në një simfoni emocionesh, duke rikthyer thelbin e flamenkos.

Balerina andaluziane, anëtare e Ballet Flamenco de Andalucía, mahniti publikun me mjeshtërinë dhe pasionin e saj, duke e bërë këtë performancë të paharrueshme për publikun e pranishëm në sallë.

Flamenko e ka origjinën në Andaluzi, në Spanjën jugore, si një shkrirje e traditave muzikore dhe kërcimit nga popujt andaluzianë, maurë, hebrenj dhe romë. Rrënjët e këtij kërcimi mund të gjurmohen në migrimin e romëve nga Rajasthan (Indi), në Spanjën e shekujve 9 dhe 14. Forma e artit u shfaq gjatë shekujve të përzierjes kulturore, me “Gitanos” që luajtën një rol kryesor në zhvillimin e saj dhe e bënë të njohur publikisht në mesin e shekullit të 19-të.

Shfaqje Flamenco- fotot nga Florian Abazaj. 1 nga 8

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›