Shpirti shqiptar i humbur

Në intervistën e dhënë për të përditshmen gjermane Zeit Online, të botuar edhe në albinfo.ch, shkrimtarja shqiptaro-gjermane, Anila Wilms, flet për romanin e saj të fundit me titull ‘Nafta shqiptare’. Ngjarja në romanin ‘Nafta shqiptare’ zhvillohet në Tiranën e fillimviteve të njëzeta. Malësia është në armiqësi me shtetin e ri. Në kryeqytet, që deri kohë më parë s'ishte më shumë se një kasaba e pluhurosur, luftohet për pushtet. Amerikanët, britanikët dhe italianët futen me nguti në vend për të pasur qasje në burimin e porsazbuluar të naftës.
Ngjarja që zhvillohet në këtë roman rrëfen për kriminelin me të njohur në Malësi dhe për vrasjen e dy amerikanëve ne rrugën e Veriut, ngjarje për të cilën nuk dihet si dhe pse ka ndodhur. Pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria bëhet sërish e pavarur dhe njerëzit përpiqen që të ndërtojnë një demokraci të modelit evropian. Katër vjet rresht kishte edhe një parlament. Romani përshkruan momentin kur u konstatua se ky model demokracie ishte jofunksional për vendin si dhe momentin e vdekjes së këtij eksperimenti demokratik. Gjatë viteve 1924-1992 autorja thekson se në Shqipëri ishte një luftë e secilit kundër secilit dhe ishte e pamundur që të bëhej një kompromis.
Personazhet e paraqitura në këtë roman janë heronj të historisë shqiptare dhe historikisht të paraqitur shumë besnikërisht. Edhe pse personalitete patriarkale, ata ishin personalitete që të mrekullonin, sidomos dy kundërshtarët, personazhet kryesore, Herri dhe Dorotheus. I treti, Adnan Beu, nuk e kishte të njëjtin rang.
Edhe pse vie nga një famijle me prejardhje bejlere, Wilms nuk i mbron veprimet e bejlerëve në atë kohë, duke thënë se figura e Adnan Beut iu përshtatet shumë stërgjyshëve të saj.
Në pyetjen se a ishte më keq se vetë vdekja veprimi kundër Kanunit, Wilms përgjigjet: “Për këtë arsye kjo vrasje është një çështje kaq e madhe. Sipas Kanunit, krimi më i rëndë është kur mysafirit i refuzohet mikpritja. Shqiptarët deri sot e kësaj dite nuk arritën të sqarojnë sesi ka ndodhur vrasja.”
Wilms flet me nostalgji për Malësinë duke theksuar se atje e ndien një energji të kohërave të lashta. Shqiptarët ajo i krahason me keltët. “Malësia i mrekullon të gjithë. Është një vend mbresëlënës, bile i angësht si për nga relievi ashtu edhe për nga njerëzit. Muzika që dëgjojnë njerëzit, shtëpitë që ata ndërtojnë, rrugët, vetë gjuha e tyre grykore, mënyra sesi e komentojnë botën - e tëra vije nga lashtësia. Këta njerëz mund të jenë vetë keltët”, shprehet ajo.
Autorja romanin ka dashur ta promovojë në gjermanisht, por e shkroi së pari në shqip. Thotë se është e ndikuar nga Ismail Kadare.
“Letërsia shqiptare dominohet në radhë të parë nga një shkrimtar, nga Ismail Kadare. Nga ai jam natyrisht mjaft e ndikuar. Vetë nocionet dhe ndjenjat e tij për gjuhën më karakterizojnë edhe mua. Është një gëzim, një festë, e veçantë ta lexosh atë. Së paku për shqiptarët. Unë mendoj se kjo për gjermanët nuk vlen veçanërisht. Kadare është ndër të tjera edhe mjaft ‘thrilling’ (trilerik)”, thotë Wilms.
Në pyetjen se si e kanë pranuar romanin në Shqipëri, Wilms u shpreh se Shqipëria, shpirti shqiptar, është pakëz i humbur.
“Vendi s'arrin dot as sot t'i lidhë fëmijët e tij rreth vetes. Së pari po e ndërton bazën e tij materiale. Është një shoqëri në transformim të thellë. Ai ende nuk ka mbërritur aq larg sa të krijojë hapësira mbrojtëse për abstrakten. Është në pyetje trualli së pari, ajri ende nuk është aty. Nga kjo janë të prekura të gjitha artet, natyrisht edhe letërsia. Për këtë shkak të gjithë ne jemi pakëz pa atdhe”, thekson ajo. Wilms shton se për këtë arsye po përpiqet të gjejë një atdhe, një spirancë në një gjuhë tjetër, në një kulturë tjetër.