E Diel, 1 Nëntor 2026

Greiçevci, mori letrat kredenciale nga presidentja Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ambasadorin e ri të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Greiçevci.

Presidentja Jahjaga dhe ministri i Jashtëm Hoxhaj diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës dhe i dhanë mbështetje në misionin e tij, ambasadorit të ri në Londër, Lirim Greiçevci.

Me këtë rast, ambasadori Greiçevci ka marr letrat kredenciale nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga e udhëzoi ambasadorin Greiçevci që t’ia përcjell dëshirat e saj më të mira autoriteteve dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar dhe dinamizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Lirim Greiçevci ka diplomuar në shkenca politike dhe në gjuhë dhe letërsi angleze në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në “London School of Economics”, në fushën e politikës krahasuese, si bursist i Ministrisë së Jashtme të Qeverisë Britanike.

Është këshilltar politik i kryeministrit Thaçi që nga viti 2008. Para dhe gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, ka shërbyer si koordinator për tranzicion të pushtetit nga misionet ndërkombëtare tek institucionet vendore të Kosovës së pavarur.

Nga marsi i vitit 2011, ai ka shërbyer si anëtar i delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ka punuar gjithashtu edhe në themelimin dhe funksionalizmin e strukturave për planifikim strategjik dhe të politikave në kuadër të Qeverisë.

Gjatë procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës nën udhëheqjen e ish-presidentit Martti Ahtisaari, ka marrë pjesë në disa seanca negociatore në Vjenë, në cilësinë e këshilltarit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›