Shpura e re socialiste, “as këndej e as andej” - kush e ndjen veten të tillë të vijë në PS!

Ironia e Erjon Braçes në Facebook
Deputeti i PS ironizon prurjet e reja të Edi Ramës, duke i cilësuar si të paaftë për tu identifikuar majtas apo djathtas. Shkak janë bërë statuset në Facebook me ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish kryeministres konservatore në Britaninë e Madhe, Margaret Theçer, apo dhe citate të famshme të saj, ku provokon në të shumtën e rasteve të majtën politike, socialistët dhe komunistët.
Nisur nga ky fakt, Braçe konstaton se “të ardhurit” nuk e dinë që i përkasin një force politike të majtë. “As këndej as andej” është nofka që përdor anëtari i kryesisë së PS, për shpurën e re të Edi Ramës që s’kanë asnjë lidhje me PS, përkundrazi kanë luftuar kundër saj dhe indirekt sulmon Erjon Veliajn si “kandidati për deputet i pikëlluar”. “Ngushëllime gjithë deputetëve socialistë që qënkan pikëlluar! Madje dhe kandidatëve për deputetë që gjithashtu janë pikëlluar! Udhëheqës socialistë, të sekretariatit, kryesisë; deputetë e kandidatë për deputetë; Veçmas gra socialiste; ngushëllimet e mia për vdekjen e papritur të zonjës Margaret Thatcher! Tu ketë lënë uratën! Tu rrojnë të dashurit e paçi vetëm të mira e gëzime! E di që nuk kam ‘konsensusin’ tuaj, por kam ‘bindjen’ time se pikëllimi juaj vjen patjetër nga ‘bindja konsensuale as andej e as këtej’ që keni”, shkruan Braçe, duke shigjetuar “socialistët e rinj”, të cilët sipas tij, nuk dinë dallimin mes të majtës dhe të djathtës, duke nënkuptuar këtu, se ish kryeministrja britanike i përkiste forcave të djathta konservatore dhe i quante socialistët “kushërinj të parë të komunistëve”.
Ndërsa ngre alarmin se shpura e re socialiste, formacioni privat i Edi Ramës, ka devijuar nga doktrina ideologjike e të majtës politike. Për ta thelluar më tej ironinë, një prej miqve në Facebook i shkruan Braçes se, një miku i tij nuk pranon të aderojë në asnjë parti politike, sepse nuk kupton ku dallon e majta nga e djathta...
Dhe përgjigja e Erjon Braçes është e prerë dhe kuptimplotë; “Epo qenka tamam për PS, ku është ta marrim?”...