E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramës tani, çfarë t’i kërkosh, ta jep

09-04-2013 / Gazeta 55

Paniku se 23 qershori do regjistrojë fundin e tij politik, po e çon Edi Ramën drejt vendimeve dëshpëruese, që rrënojnë jo veç PS-në, por edhe trashëgiminë e tij personale. Ai pranon të tjetërsojë listat e tij të kandidatëve, të miratojë rezoluta për çështje që e majta as s’i konsideron, të luajë mikun me njerëz që i ka urryer gjithë jetën si dhe t’i thotë derrit dajë. Tashmë të gjithë dallkaukët e të gjitha rrymave e shijeve, e kanë marrë vesh se është koha t’i kërkosh Ramës, pasi ai ndihet në detyrimin për ta dhënë

Kryetari i PS Edi Rama është shndërruar një shpërndarës privilegjesh dhe postesh në hava për aleatët e rinj dhe të vjetër. Lista e deputetëve të Partisë Socialiste është bërë mall shkëmbimi më të cilën Edi Rama po kënaq sedrën e aleatëve duke iu premtuar vende të sigurta. Ai pranon të tjetërsojë listat e tij të kandidatëve, duke hequr deputetë socialistë që kanë sakrifikuar jo pak në një përpjekje radikale katër vjeçare për të marrë pushtetin. Edi Rama premton  të miratojë rezoluta për çështje që e majta as s’i konsideron, pasi i heq çështjes elementet bazikë. Ai pranon të luajë mikun me njerëz që i ka urryer gjithë jetën si dhe t’i thotë derrit dajë.
Kësisoj para ca javësh në Shkodër Rama rrëfeu se kishte lidhje familjare me qytetin dhe besimin e tij katolik, ndërsa dje në Korçë ndezi një qiri në katedralen ortodokse dhe tha se kishte lidhje familjare me këtë qytet, dhe në aleancë ka futur një parti islamike. Afërmendsh ndodh që kur Rama takon emigrantët e quan veten si emigrant të orëve të para, ndërsa kur takon romët thotë se ka një shok rom, e njëjta gjë ndodh kur takon përfaqësues të komunitetit çam të cilëve iu premton një tjetër rezolutë pa kripë ose siç ka qejf ai një “rezolutë pa nacionalizma”, sikurse kur takon minoritarët etnikë (grekë, vllehë, goranë, etj.) iu gjegjet se ka lidhje me të gjithë.
Me një llaf, mik me të gjithë dhe në njëjtën kohë me asnjë prej tyre.
Ai paradite takon të varfër dhe shfaqet si fukara, pasdite takon biznesmenëve dhe shfaqet me veshje të shtrenjta për të dhënë idenë e status-quo-së lartë, ndërsa në mbrëmje me gratë socialiste shfaqet feminist.
Mirëpo në 13 vite politikë ai ka bërë më shumë armiq sesa miq, më shumë klientë sesa besnikë, më shumë vartës sesa bashkëpunëtorë dhe më shumë lakenj sesa ideologë. Padyshim zemërgjerësia parazgjedhore e Edi Ramës me ftesa bulimike për koalicion, për vende pune të pa qena, për poste dhe privilegje të ndryshme është produkt i panikut të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku tashmë të gjithë dallkaukët e të gjitha rrymave e shijeve, e kanë marrë vesh se është koha t’i kërkosh Ramës, pasi ai ndihet në detyrimin për ta dhënë.
Në fakt, të humburit në këtë mes janë veçse deputetët panafakë socialistë që presin nga kryetari i PS Rama t’ju njohë meritat dhe kontributet e vyera që kanë dhënë me bojkotin parlamentar, me protestat dhe grevën e urisë, si dhe në demonstratën e dhunshme të 21 janarit.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama po jep idenë se çfarë t’i kërkosh – ta jep me gjithë zemër.
Pasiguria e fitores së opozitës  ka zgjidhur thesin e premtimeve për këdo që sjell vota, duke përligjur “pazarin” dhe jo ndarjen e vlerave dhe programeve të përbashkëta.
Dy muaj përpara zgjedhjeve gjendet pa program qeverisës, pasi aleatët e rinj kanë kundërshtuar publikisht deklaratat e Ramës për sistemin e shëndetësisë, për taksën progresive, për koncesionet dhe privatizimet. Tetë vjet në opozitë Edi Rama po afron drejt zgjedhjeve me shumë kunguj në sqetull që e shëndoshin elektoralisht por e ngadalësojnë në ecje.
Mbërritja në fotofinishin e 23 qershorit do lërë pa fjalë, pa frymë, pa qeveri, pa pushtet! 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›