E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqetësimet për privatësinë/ Norvegjia planifikon kufizim të përdorimit të syzeve inteligjente

Norvegjia po planifikon të kufizojë përdorimin e syzeve inteligjente dhe pajisjeve të ngjashme, për shkak të shqetësimeve në rritje lidhur me privatësinë.

Ministria norvegjeze e Digjitalizimit njoftoi se po kërkon një rregullim më të rreptë të kësaj teknologjie dhe u bëri thirrje institucioneve publike dhe kompanive private të hartojnë udhëzimet e tyre për përdorimin e saj.

“Shohim se privatësia dhe mbrojtja e të dhënave po vihen nën presion nga teknologjitë e reja. Për këtë arsye, do t’i rregulloj syzet inteligjente dhe pajisjet e ngjashme në mënyrë më të rreptë se sot”, deklaroi ministrja e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Karianne Tung.

Sipas saj, masat mund të përfshijnë ndalimin e funksioneve të tilla si njohja e fytyrës së personave të tjerë në hapësirat publike. Ministria do të krijojë gjithashtu një grup ekspertësh, i cili do ta këshillojë për rregullimin e kësaj teknologjie.

Syzet inteligjente mund të përmbajnë kamera, mikrofona dhe ekrane me realitet të shtuar, duke u mundësuar përdoruesve të fotografojnë, të regjistrojnë video ose të shohin informacione të projektuara përpara syve.

Përdorimi i tyre është bërë gjithnjë e më i debatueshëm. Kritikët paralajmërojnë për cenimin e privatësisë dhe mundësinë e përdorimit të tyre për mbikëqyrje. Nga ana tjetër, pajisjet mund të ofrojnë përfitime të rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht për të verbrit dhe personat me dëmtime të shikimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›