Shqipëri – Britani e Madhe, bashkëpunim më i gjerë

Shqipëria synon një bashkëpunim më të gjerë me Britaninë e Madhe. Kjo u bë e ditur në takimin që Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ndodhet në Mynih në kuadër të Konferencës së Sigurisë, zhvilloi të premten pasdite me Sekretarin britanik të Shtetit për Punët e Jashtme, Komonuelthin dhe Çështjet e Zhvillimit, James Cleverly.
Gjatë takimit u diskutuan rrugët për zbatimin konkret të Komunikatës së Përbashkët të dy Kryeministrave, në të gjitha fushat që ajo mbulon, si zbatimi i kuadrit ligjor për bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, forcimi i bashkëpunimit ekonomik, etj.
Sipas kryediplomates shqiptare, fokusi i bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të jetë më i gjerë se çështja e emigrimit dhe të përfshijë rritjen e marrëdhënieve ekonomike, investimet britanike dhe bashkëpunimin në fusha konkrete të energjisë.
/ rtsh.al /