Shqipëri - Parlamenti miraton paketën e ligjeve për anëtarësim në NATO
Në Shqipëri parlamenti në një seancë të veçantë miratoi të enjten të gjithë paketën e ligjeve për anëtarësimin në Nato, vetëm pak ditë para zyrtarizimit të këtij akti në takimin e nivelit të lartë të aleancës i cili do të mbahet në Strasburg. Paketa e ligjeve mori mbështetjen e të gjithë deputetëve në sallë.
Në fjalën e tij kryemnistri Sali Berisha e cilësoi anëtarësimin në Nato momentin më të rëndësishëm në historinë e vendit të tij pas shpalljes së pavarësisë. Ai tha se Shqipëria duke lënë pas dhimbjet dhe peripecitë që shoqëruan historinë e gjatë të kombit shqiptar, tashmë mbyll epokën e tranzicionit dhe hap një epokë të re në të cilën shqiptarët ndërtojnë të sigurt të ardhmen e tyre.
Kryeministri Sali Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite dhe falenderoi të gjithë miqtë e Shqipërisë e në veçanti Shtetet e Bashkuara. Edhe opozita e cilësoi një moment të madh anëtarësimin në Nato, duke vënë në pah kontributin që ajo ka dhënë në këtë proces.
Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj, tha se tashmë përpara vendit dalin sfida dhe përgjegjësi të reja, duke i kujtuar me këtë rast qeverisë se duhet të plotësojë në radhë të parë angazhimin për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ajo paralajmëroi se që prej javës së ardhshme opozita do të përshkallëzojë kundërshtitë e saj, nëse nuk merret parasysh propozimi i saj për procesin e pajisjes me letërnjoftime të qytetarëve shqiptarë. //bsa//