Shqipëri-Azerbajxhan, shkëmbim përvojash mbi ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Azerbajxhanit, kryesuar nga Anar Mukhtarov, drejtor i Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, zhvilluan një vizitë pune pranë Bankës së Shqipërisë.
Kjo vizitë pune, e organizuar me kërkesë të përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Azerbajxhanit, u realizua me qëllim shkëmbimin e përvojave midis dy institucioneve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se delegacioni zhvilloi takime pune dhe diskutime teknike me punonjësit e Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme pranë Bankës së Shqipërisë.
Disa nga temat kryesore të diskutuara gjatë këtyre takimeve ishin: roli i Bankës së Shqipërisë si Autoritet për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në rrjetën e sigurisë financiare; ngritja e kuadrit ligjor dhe atij metodologjik për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Shqipëri; objektivat dhe planifikimi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme; rritja e aftësisë së bankave për ndërhyrje të jashtëzakonshme; bashkëpunimi ndërinstitucional në rang kombëtar dhe ndërkombëtar në kuadër të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për projekte të tilla bashkëpunimi në çdo fushë të veprimtarisë së saj.
1 nga 2/r.e/a.f/