E Martë, 3 Nëntor 2026

Gonxhja: 300 milionë euro për banesa me kosto të ulët


TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se qeveria do të shtojë investimet në fushën e strehimit social për të bërë të mundur sigurimin e banesës për të gjitha familjet, edhe ato me të ardhura të ulëta.

“Strehimi do të jetë arma e dytë për t’u ardhur në ndihmë. Do të konkurrojmë çmimet e privatit, pasi strehimi ka dalë jashtë mundësive të një pjese të popullatës. Do të investojmë 10-fish në strehimin social, duke ofruar mundësi përmes Entit Kombëtar të Banesave që po rindërtohet. Do të ofrohen banesa, duke nisur nga 3,5 milionë lekë deri në 5,5 milionë lekë”, deklaroi ministri.

Gjatë një takimi me punonjës të një kompanie që operon në fushën e industrisë së lehtë në Tiranë, Gonxhja tha se në 5 vitet e ardhshme do të investohen rreth 300 milionë euro për ndërtimin e godinave të strehimit me kosto të ulët, ku çmimet do të konkurrojnë tregun privat.

“Duam që përmes këtyre fondeve të qeverisë dhe fondit prej 3% që merret nga bashkitë zhvilluesve privatë, është një fond i madh, gati 300 milionë euro në 5 vitet në vijim, në mënyrë që të shpërndajmë më tepër shtëpi”, u shpreh ministri.

Gonxhja foli edhe për masa të tjera mbështetëse për familjet me ardhura të ulëta dhe ato me fëmijë, ndër të cilat edhe pagesa e disa kësteve nga qeveria.

Sipas tij, është bërë një përditësim i kostove të ndërtimit, ndërsa paralajmëroi rishikimin e rregullave për qiratë sociale për t’i bërë ato më të lehta për t’u përfituar nga qytetarët.

Njëkohësisht, Gonxhja informoi se paga minimale do të shkojë në 50 mijë lekë dhe pensioni minimal do të jetë 20 mijë lekë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›