E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Greqi, pranë zgjidhjeve të çështjeve pezull

Edmond Panariti/ Ish-ministër i Jashtëm

Shqipëria dhe Greqia, demonstruan një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi në kuadrin e projektit TAP. Shpreh bindjen se qeveria e re e së majtës së bashkuar do të demonstrojë të gjithë dinamizmin dhe përkushtimin për konkretizimin e këtyre angazhimeve Nëse kërkohet të instalohet fryma e konsensusit politik në vendimmarrje, prova e parë do të ishte njësimi i pozicioneve të dy kampeve politike shqiptare, për çështjet e interesave shtetërore dhe atyre kombëtare. Në themel të Politikës së Jashtme të Shqipërisë qëndron mbrojta e interesave shtetërore dhe kombëtare dhe vetëm në funksion të tyre zhvillohen proceset e integrimit europian dhe të bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë. Ndryshe nga sa spekulohet, shpesh edhe nën katalizimin e rrymave populiste dhe nacionaliste me sfond politik, jam i mendimit se Shqipëria dhe Greqia janë fare pranë gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pranueshme për një sërë çështjesh të mbetura pezull në axhendën e tyre të bashkëpunimit.

Kryeçështja midis dy vendeve dhe që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sovranitetin shtetëror të vendeve tona, është marrëveshja e detit. Nëse do të më duhej të kryeja një analizë të kujdesshme të qëndrimeve të palëve lidhur me këtë çështje, do të arrija në përfundimin se nuk ka elemente thelbësore kontrastues midis diplomacive përkatëse. Gjatë takimeve zyrtare, por edhe informale që kam zhvilluar me homologun tim, ministrin Avramopoulos, më është shprehur qarte se shteti helen njeh dhe respekton vendimet e institucioneve shqiptare, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila anulon marrëveshjen e vjetër detare të vitit 2009. Shprehja më e qartë e këtij qëndrimi konstruktiv dhe bashkëpunues nga pala greke, është mos ratifikimi nga ana e parlamentit grek e marrëveshjes se vjetër, gjë që krijon hapësira të përshtatshme për rimarrjen e dialogut për të punuar sa më parë për një marrëveshje të re.

Të dyja vendet duhet të instalojnë sa më parë dialogun dhe bashkëpunimin pa paragjykime dhe fobi, nën frymën e të drejtës ndërkombëtare të detit, kushtetutave përkatëse si dhe në referencë të plotë dhe të balancuar të metodave ndërkombëtare që përcaktojnë kriteret e ndarjes së hapësirave detare dhe të zonave te eksluzivitetit ekonomik. Shqipëria është e interesuar për të njohur dhe sanksionuar sovranitetin e saj në këto hapësira ujore detare dhe në këtë këndvështrim është po aq e motivuar sa edhe pala greke për përmbylljen e një marrëveshjeje të tillë. Kam bindjen se shteti shqiptar dhe ai helen, do të arrijnë të punojnë së bashku me sukses, veçanërisht për të drejtat sovrane përkatëse, mbi zonat e eksluzivitetit ekonomik mbi këto hapësira ujore, ku përpos referencave të qarta tek e drejta ndërkombëtare dhe kushtetutave përkatëse, është e nevojshme edhe mbizotërimi i frymës së kompromisit dhe të mirëkuptimit midis dy vendeve sipas skemës fito-fito.

Shqipëria dhe Greqia, demonstruan një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi në kuadrin e projektit të tubacionit të gazit Trans Adriatik, i cili do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të dy vendeve tona, por mbi të gjitha ky bashkëpunim tregoi sesi palët ja dolën mbanë të vjelin frutat e sinergjizmit të pikëpamjeve dhe të angazhimit të investuar në shërbim të interesave të përbashkëta. Nëse kjo frymë do të ruhet dhe kultivohet më tej, unë nuk shoh ndonjë arsye përse të dy vendet tona të mos shënojnë përparim të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të tjera pezull, si ajo e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, çështjet e transportit të udhëtarëve si dhe ato që lidhen me pronat shqiptare në territorin grek etj.. Së bashku me palën greke kemi rënë dakord për takime ministrore të formatit grup, për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve brenda këtij viti dhe shpreh bindjen se qeveria e re e së majtës së bashkuar do të demonstrojë të gjithë dinamizmin dhe përkushtimin për konkretizimin e këtyre angazhimeve.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›